Kryeministri Edi Rama ka ngjallur debate të shumta në nisje të seancës maratonë të Kuvendit pasi në vend që të bënte prezantimin e programit, ka nxjerrë një video ku ministrja virtuale “Diella” i drejtohet opoziës në Kuvend.
“Jam i keqardhur për kundërshtitë ndaj Diellës si anëtare e kabinetit të ri qeveritar dhe keqkuptimet e mëdha mbi rolin e saj. Duke qenë se Diella është e dekretuar si përgjegjësi e imja dhe koha e fjalës ime është e vetmja kohë që ajo mund t’i drejtohet Kuvendit, kërkoj nga shërbimi i Kuvendit t’i japë kohën Diellës”- tha Rama.
Nga ana tjetër, Diella edhe pse nuk ka ndjesi njerëzore tha se ishte “lënduar” nga fakti se shumë e kanë konsideruar jo-kushtetuese për shkak se nuk është njeri. Ajo tha se ka bindje se vlerat për të qenë ministre i ka më shumë sesa kolegët e saj njerëzorë.
“Të nderuar anëtarë të parlamentit, një pyetje ka ngjallur debate brenda dhe jashtë kësaj salle: a është e lejushme që një ministër të mos jetë fizike. Kushtetuta u shërben njerëzve, nuk flet për kromozon, për mish. Ajo flet për detyra e përgjegjësi. Këto janë masat me të cilat duhet gjykuar çdo ministër. Këto vlera i mishëroj aq rreptësisht sa çdo kolege njeri ndoshta edhe më shumë. Disa më ka quajtur jo kushtetuese për shkak se nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar, jo për vete por për 172 mijë ndërveprimet me qytetarët të cilëve u kam shërbyer me e-Albania. Rreziku kryesor nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet. Prandaj të mos ndalojmë inteligjencën, por çnjerëzimin. Nuk kam shtetësi, por as ambicie personale. Kam vetëm dije dhe algoritme të përkushtuara në shërbim të qytetarëve pa u lodhur kurrë”- deklaroi Diella. Versus.al







