POLITIKË /

Rama “retreat” me të vetët për zgjedhjet e 11 Majit/ Dalin detaje nga diskutimet e socialistëve

Gjatë mbledhjes është diskutuar gjithashtu për përcaktimin e emrave që do të jenë në listat e sigurta të Partisë Socialiste, ndërkohë që është bërë një analizë e kontributit të deputetëve aktualë dhe figurave të reja që mund të përfshihen në garë

Shkruar nga Versus

Rama “retreat” me të vetët për zgjedhjet e 11 Majit/

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste dhe drejtuesve politikë në qarqe, e zhvilluar në Pallatin e Brigadave, ka hyrë në një fazë të rëndësishme të diskutimeve për strategjinë elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Kryeministri Edi Rama u largua për pak minuta nga mbledhja, për t’u rikthyer më pas dhe për të vijuar me  çështjen kryesore që është koordinimi i fushatës.

Sipas burimeve për Versus.al nga brenda mbledhjes, pjesëmarrësit po analizojnë objektivat dhe prioritetet e fushatës, duke u fokusuar në temat kryesore që do të jenë pjesë e ligjëratës elektorale. Një nga pikat kyçe të diskutimit është dorëzimi i listave paraprake të kandidatëve për deputetë nga 12 drejtuesit politikë të qarqeve, të cilat pritet të finalizohen deri më 12 mars, në përputhje me afatin e vendosur nga KQZ.

Gjatë mbledhjes është diskutuar gjithashtu për përcaktimin e emrave që do të jenë në listat e sigurta të Partisë Socialiste, ndërkohë që është bërë një analizë e kontributit të deputetëve aktualë dhe figurave të reja që mund të përfshihen në garë. Burime brenda mbledhjes bëjnë me dije se disa lëvizje në drejtimin politik të qarqeve tashmë janë konfirmuar.

Blendi Klosi është caktuar si drejtues i qarkut të Dibrës, duke zëvendësuar Blendi Gonxhen, i cili do të marrë përgjegjësinë për fushatën në Tiranë. Po ashtu, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, do të bashkëpunojë me Bledi Çuçin për organizimin e zgjedhjeve në qarkun e Vlorës.

Mbledhja pritet të vijojë me diskutime të mëtejshme për strategjinë elektorale dhe mobilizimin e strukturave, teksa socialistët synojnë një fitore të thellë në zgjedhjet e majit. /Versus.al/

Poll