POLITIKË /

Rekursi në Gjykatën e Lartë, Salianji nga burgu: Është manipuluar shorti për relatorin, ka dy emra

Në njërin prej njoftimeve, relator i çështjes për rekursin e Salianjit rezulton Sokol Binaj ndërsa në tjetrin njoftim, relatore shfaqet Albana Boksi.

Shkruar nga Versus
Rekursi në Gjykatën e Lartë, Salianji nga burgu: Është
Salianji në momentin e dorëzimit në drejtorinë e policisë

Ervin Salianji, deputeti i PD i cili prej shtatorit të vitit të kaluar po vuan dënimin në burgun e Fierit pasi u shpall fajtor për kallëzim të rremë, ka reaguar së fundmi duke pretenduar për manipulim të shortit për trupin gjykues në Gjykatën e Lartë.

Duke e konsideruar këtë si një “pengmarrje”, teksa reagoi rekursin e tij në Gjykatën e Lartë, Salianji ka publikuar edhe dy foto lidhur me procesin e caktimit të relatorëve për çështjen.

Sipas tij, ka njoftime për dy relatorë të ndryshëm të çështjes në të njëjtën ditë, duke argumentuar se kjo është bërë me qëllim mbajtjen nën presion gjyqtarët dhe vonesën e shqyrtimit të kërkesës së tij.

“Pasi shpalli vendimet që ai dëshironte në dy shkallët e Gjyqësorit, për krimin  e agjitacion e propogandë dhe se e mundja qeverinë në çdo përballje, Edi Rama ka marrë masa që të bëjë të njëjtën gjë me Gjykatën e Lartë.

Në fillim më burgosën pa ligj, vetëm për publikimin e një investimi gazetaresk, për një denoncim publik të vërtetuar brenda ditës nga vetë Agron Xhafaj, i dënuar me 7.4 vjet burg në Itali pas një operacioni të DEA-s, i cili u detyruar të shkonte në qeli sic urdhëronte drejtësia italiane. Më pas u kapën duke paguar dëshmitarë të rremë. Dëshmitari u kap me video duke pranuar qē kishte marrë para nga Xhafaj dhe vartësit e tij. U kapën dhe drejtuesit e policisë së shtetit në përgjime zyrtare të prokurorisë duke paguar me para dhe instruktuar dëshmitarin e rremë. Më tej, manipuluan duke futur në gjykatē, (akte dhe vendime që askush nuk i dinte se si ishin futur në dosje). Vonuan zbardhjen e vendimit për të penguar rekursin në Gjykatë të Lartë. Më burgosën duke pasur mandat dhe asnjë institucion nuk konstatoi humbjen e mandatit në momentin që isha në burg. Tani, vazhdojnë me  shpifësinë e padrejtësisë, duke nxjerrë dy trupa e dy relatorë të ndryshëm për rastin tim, as më pak e as më shumë por në Gjykatën e Lartë!

Është e qartë. Ky nuk është proçes, por pengmarrje. Jam i marrë peng nga një organizatë kriminale që interes ka të më mbajë larg zgjedhjeve dhe aktivitetit publik, pasi kam faktuar me qindra herë korrupsionin dhe lidhjet e qeverisë me krimin ashtu siç dhe i kam mundur në çdo përballje zgjedhore!

Qëllimi nuk fshihet më. Duhet të mbahem në burg, të mos lejohem të merrem me politikë, të bëj fushatë, të kandidoj! Ndryshimi apo manipulumi i shortit bëhet për të vonuar shqyrtimin dhe vendimmarrjen dhe po ashtu për të mbajtur nën presion gjyqtarët duke krijuar dy trupa. Një trupë që do të shqyrtojë çështjen, dhe një si siguresë për nevojën e qeverisë!

Kjo është autokracia në veprim, ky është pushteti i sunduesit. Ky është regjimi! Kushdo do mbajë përgjegjësi, dita po vjen!”- shkruan Salianji në reagimin e tij ndërsa më poshtë janë edhe fotot e caktimit të relatorëve për procesin në Gjykatën e Lartë. Versus.al

Rekursi në Gjykatën e Lartë, Salianji nga burgu: Është Rekursi në Gjykatën e Lartë, Salianji nga burgu: Është  

Poll