POLITIKË /

Trump në krye të SHBA, Berisha: Rikthimi më i madh i të gjitha kohërave, amerikanët votuan kundër George Soros

Shkruar nga Versus

Trump në krye të SHBA, Berisha: Rikthimi më i madh i të

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar për fitoren e Donald Trump i cili u rikthye në Shtëpinë e Bardhë pas një gare të ashpër përballë Kamala Harris.

Në një reagim të gjatë në rrjetin social facebook, Berisha shkruan se qytetarët amerikanë votuan kundër mashtrimit dhe hipokrizisë, duke e konsideruar rikthimin e Trump si “më të madhin e të gjitha kohërave”.

Sipas tij, me rikthimin e Trump në pushtet, bota është më e siguritë nga luftërat dhe theksoi se kjo është një votë e amerikanëve kundër George Soros të cilin e cilëson si ‘mafia më e rrezikshme e të gjitha kohërave’.

Reagimi i plotë i Berishës:

Donald Trump triumfoi!

Kombi i madh amerikan në zgjedhjet e tij më historike riktheu madhërishëm në Shtëpinë e Bardhë President të 47-të të SHBA, Zotin Donald Trump. Me votën e tyre plebishitare, qytetarët amerikanët u ngritën mbi hipokrizinë, mashtrimin, përpjekjet për t’ iu diktuar me të gjitha mjetet udhëheqësin e tyre, dhe me rikthimin më të madh të të gjitha kohërave, zgjodhën për të ardhmen e ndritur që meritojnë, Donald Trump President të 47-të të vendit të tyre. Ata votuan për vlerat themelore të njeriut dhe njerëzimit që ndajnë dhe mbrojnë njerëzit e lirë në mbarë botën, votuan për begatimin e tyre dhe paqen në botë. Me Presidentin Donald Trump, SHBA, aletatët dhe partnerët e tyre në këtë kohë luftërash janë më të sigurtë se kurrë më parë. Por qytetarët amerikanë votuan gjithashtu për shpëtimin e vendit të tyre dhe jo vetëm atij, nga mafia më e rrezikshme e kohërave, mafia e George Soros.

Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, parti simotër prej tre dekadash e Partisë Republikane, uroj përzemërsisht fitoren historike të Presidentit të 47-të të SHBA Donald Trump, kandidatëve të kësaj partie në drejtimin e Kongresit të SHBA dhe shpreh besimin se marrëdhëniet tradicionale midis dy vendeve dhe dy partive do të njohin zhvillime të shkëlqyera. Zoti i bekoftë SHBA, kombin dhe Presidentin e tyre!

Më herët, edhe kryeministri Edi Rama uroi Donald Trumpin për fitoren dhe u shpreh se mezi priste të bashkëpunonte sërish me të. Versus.al

Poll