Erion Veliaj ka reaguar nga qelia, pasi u përfol për shkarkimin e Anulea Ristanit dhe ridelegimin e kompetencave, Sara Goxhajt. Sot përmes një statusi në rrjetet sociale Veliaj shkruan se ky ridelegimi i kompetencave ishte i gabuar për shkak se kishte menduar që ekipi drejtues ishte dakordësuar më parë.
Gjithashtu Kryebashkiaku i Tiranës ka mohuar zërat për përplasjen e tij me Ramën. Ai shkruan se për kreun e qeverisë ka vetëm mall të takohet për të folur për punë si gjithmonë.
Statusi i plotë i Erion Veliajt:
U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.
E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.
E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.
E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi.







