AKTUALITET /

Sot protestë e Rithemelimit para bashkisë Tiranë, polici njofton masat e marra për rrugët e bllokuara

Bulevardi kryesor te bashkia do të jetë i bllokuar për drejtuesit e mjeteve që nga nisja e protestës së opozitës në orën 09:30 e deri në përfundim të saj.

Shkruar nga B.V
Sot protestë e Rithemelimit para bashkisë Tiranë, polici njofton
Foto nga protesta e mëparshme e Rithemelimit para bashkisë

Tiranë- Policia ka publikuar masat e marra për mbarëvajtjen e protestës së opozitës që pritet të mbahet para bashkisë së Tiranës ku kërkohet dorëheqja e Erion Veliajt nga posti i kryetarit.

Duke nisur nga ora 09:30 e deri në përfundimin e tubimit, bëhet me dije se do të jetë i bllokuar përkohësisht bulevardi kryesor i bashkisë së Tiranës. Ndërsa u bëhet thirrje drejtuesve të automjeteve që të përdorin rrugë alternative si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Mes të tjerash, policia bën thirrje që të mos përdoren molotovë dhe të mos tentohet përplasja fizike me efektivët gjatë tubimit.

"Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune”- njofton policia.

Kjo është protesta e 11-të që Rithemelimi dhe Partia e Lirisë zhvillon para bashkisë së Tiranës pas arrestimit të disa prej drejtorëve të bashkisë nën akuzën e përvetësimit të fondeve për tenderat duke ua dhënë kompanive që i kishin hapur vetë. Kërkesa kryesore është dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj, ndërsa gjatë ditëve të ndryshme ka pasur përshkallëzime të protestës deri në djegien e gomave, shpërthimin e molotovëve dhe hedhjen e sendeve të forta drejt policisë. I njëjti skenar me djegien e gomave u ndoq edhe në protestën e organizuar nga opozita jashtë Kuvendit të enjten e kaluar. Versus.al

Poll