Që prej orës 16:00 të pasdites së djeshme e deri në orët e mëngjesit të sotëm, landfilli i mbetjeve në Elbasan është përfshirë nga flakët. Për orë të tëra, nuk u mor asnjë masë për shuarjen e zjarrit që më pas u përhap duke e bërë të vështirë fikjen.
Në vendngjarje mbërritën 60 zjarrfikës të cilët pavarësisht përpjekjeve, kryesisht arritën të izolonin vendngjarjen duke mos lënë zjarrin të përhapej më tej në zona të banuara.
Pas fushës së mbetjeve në Vlorë që tashmë e ka për “zakon” të digjet disa herë brenda sezonit turistik duke shkaktuar katastrofë mjedisore, edhe landfilli i Elbasanit ka shkaktuar një ndotje të madhe në gjithë qytetin duke e bërë zonën të pajetueshme për shkak të tymit që e kishte përfshirë.
Çfarë është më ironike është fakti se Elbasani e ka një incinerator që duhej të merrej me përpunimin e mbetjeve dhe ka marrë miliona euro pagesa për një punë të tillë. Ndërsa administratori i kompanisë publike “Eco Elb” që duhej të merrej me menaxhimin e mbetjeve të landfillit, Leli Kaja edhe pse nën hetim nga prokuroria duket sikur është “i paprekshëm” nga drejtësia pasi edhe pse landfilli që menaxhon ka marrë miliona euro pagesa si tendera për menaxhimin e mbetjeve dhe vetë Kaja është i pandehur për korrupsion, krimi mjedisor në një prej qyteteve më të populluara të vendit, vazhdon. Versus.al







