AKTUALITET /

1 qershori i dy botëve të ndryshme, policia me urime ‘hipokrite’ dhe të miturit e 'Bllokut'

Shkruar nga Versus
1 qershori i dy botëve të ndryshme, policia me urime
Policia me fëmijët për 1 qershorin; foto ilustrim

Çdo vit, 1 qershori e përcaktuar si “Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve” urohet nga autoritetet më të larta të vendit, mes tyre edhe policia e shtetit. Për këtë 1 qershor, në urimin e shoqëruar me një video ku punonjës të policisë shfaqen pranë fëmijëve në shkolla e ambiente të ndryshme, të miturit cilësohen “thesari më i çmuar i shoqërisë tonë”.

Urimi i policisë

“Të dashur fëmijë, Në këtë ditë të veçantë, Policia e Shtetit ju uron: Gëzuar 1 Qershorin! Ju jeni thesari më i çmuar i shoqërisë sonë, e sotmja që na frymëzon dhe e ardhmja që na udhëheq. Jeni shpresa, garancia e një të ardhmeje më të mirë, zëri më i pastër i jetës dhe kujtimi më i shenjtë i çdo sakrifice.

Për Policinë e Shtetit, siguria juaj është mision, përgjegjësi dhe prioritet i përhershëm. Ne jemi gjithmonë pranë jush, në shkolla, në komunitet, në rrugë, për të mbrojtur buzëqeshjen tuaj dhe për t’ju garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt. Gëzuar 1 Qershorin, fëmijë të dashur, jemi pranë jush, kurdoherë që keni nevojë”.

Por sesa zbatohen të gjitha këto fjalë të bukura të policisë, është një tjetër temë që meriton diskutim më vete.

Shfrytëzimi i fëmijëve

Fenomeni i shfrytëzimit të fëmijëve për të lypur para, nuk është i ri tashmë pavarësisht se këto raste janë më të përqendruara në komuntetin rom. Qytetarë të ndryshëm raportojnë shpesh për numër të shtuar të fëmijëve që dalin në rrugë e ambiente të ndryshme publike ku kërkojnë para, e shumë prej tyre ankohen se autoritetet nuk marrin masa mbi këta fëmijë.

Mosreagimi i policisë për raste flagrante

Njëjtë është gjendja edhe ditën ndërkombëtare të fëmijëve, kur vetëm pak orë pasi kishte hyrë 1 qershori, rreth orës 03:00 të mëgjesit të sotëm, në zonën e ish-bllokut shiheshin fëmijë të mitur të cilët pa praninë e një të rrituri, po qëndronin në rrugë për të shitur lulet.

Mes fëmijëve, qytetarët raportojnë të ketë qenë edhe një vajzë 5-6 vjeçe e cila me sytë e përgjumur dhe e rraskapitur, kërkonte me doemos të shiste lulet për të siguruar të ardhurat. Ndërsa në zonë, nuk dukej asnjë officer/e policie paçka se në urimet dhe videot e krijuara me imazhe deri në detaje, efektivët shfaqen pranë fëmijëve në shkolla e zona të ndryshme.

Për thesarin më të çmuar të shoqërisë tonë, na hyn në punë angazhimi real në moslejimin e shfrytëzimit të tyre dhe jo fjalët apo videot e bukura që shpërndahen në çdo 1 qershor. Versus.al

Poll