AKTUALITET /

15 vjeçari në Tiranë u plagos me 3 plumba, policia shoqëron babain dhe xhaxhain! Dhanë dëshmi kontradiktore

Dyshimet e hetuesve janë për një konflikt mes familjarëve që më pas ka degraduar në përdorimin e armëve.

Shkruar nga Versus
15 vjeçari në Tiranë u plagos me 3 plumba, policia
Lagjia në Fushë- Mëzez ku ndodhi ngjarja

Tiranë- Një 15 vjeçar i plagosur me armë zjarri u dërgua mbrëmjen e djeshme në spitalin e Traumës ku edhe sot po merr ndihmë mjekësore.

Ditën e sotme bëhet me dije se policia ka shoqëruar në komisariat babain dhe xhaxhain e të miturit për shkak të dëshmive kontradiktore të dhëna prej tyre.

Sipas 15 vjeçarit, dëshmia e të cilit është marrë me rezerva, drejt derës kryesore të oborrit të shtëpisë është qëlluar 4 herë me armë zjarri nga një makinë e zezë që më pas është larguar me shpejtësi.

Por dëshmia e tij është totalisht kontradiktore në raport me atë çfarë ka gjetur grupi hetimor në vendngjarje. Në derë janë konstatuar 5 vrima plumbash të cilat janë qëlluar nga brenda oborrit, duke rrëzuar mundësinë se persona të paidentifikuar kanë qëlluar nga jashtë derës.

Dyshimet e deritanishme janë për një sherr mes babait dhe xhaxhait të 15 vjeçarit, konflikt që më pas ka degraduar deri në përdorimin e armëve. Gjithashtu edhe i ati i të miturit ka dhënë dëshmi kontradiktore duke thënë se pasi kishte dëgjuar të shtënat, kishte parë djalin e plagosur. I mituri fatmirësisht raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ka marrë 3 plumba, 1 në shpatull dhe 2 në krah. Versus.al

Poll