Ndërkohë që tenderat miliona eurosh në institucione duket se janë nën lupën e Prokurorisë së Posaçme pas skandaleve të zbuluara në disa institucione shtetërore, duket se ‘’Operatori i Blerjeve të Përqendruara’’ është ‘imun’ ndaj këtyre hetimeve.
Drejtoresha e këtij institucioni, Arlinda Pogaj ka në duart e saj një pjesë të madhe të tenderave të institucioneve më të rëndësishme të vendit duke nisur që nga Shëndetësia ku muaj më parë i dha një tender të dyshimtë kompanisë së Nadir Çaushollit e deri tek AKSHI.
Të dhënat e publikuara nga Prokurimet Publike më 11 maj 2026, bëjnë me dije se janë hapur 7 procedura të mëdha të lidhura me mirëmbajtjen e sistemeve elekronike shtetërore, me një fond total deri në 7.6 miliardë lekë me TVSH. Të gjitha këto procedura janë firmosur nga OBP dhe detaji i vetëm që dihet për to është se do të zhvillohen brenda korrikut të muajit korrik, pa një kalendar të mirëdetajuar për garën që duhet të zhvillohet.
Mes procedurave më të mëdha të publikuara është tenderi për mirëmbajtjen e sistemit të tatimeve ‘e-Taxation’ me vlerë rreth 2.7 miliardë lekë, e pasuar nga kontrata për sistemin e Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me fond limit 2.52 miliardë lekë.
Po ashtu tenderat e tjerë lidhen me mirëmbajtjen e sistemeve elektronike të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, sistemit të Provimit të Shtetit për Profesionet e Rregulluara, databazës shtetërore të trafikut detar, si dhe platformave të shkëmbimit të informacionit financiar dhe identifikimit të anijeve.
Ajo çfarë mbetet shqetësuese është mungesa e transparencës në lidhje me afatet konkrete të zhvillimit të procedurave të këtyre tenderave me shuma të majme nga buxheti i shtetit duke ngritur dyshime për ‘prapaskena’. Versus.al


