Kreu i komisionit të posaçëm antikorrupsion Fatmir Xhafaj doli sot në një konferencë për mediat në përmbyllje të mandatit të veprimtarisë së këtij komisioni ku bëri një bilanc të punës që është realizuar deri më tani.
Në konferencën e mbajtur, Xhafaj tha se duhet të ketë një diskutim serioz brenda institucioneve të drejtësisë lidhur me çështje të ndryshme. Ndërsa i pyetur nëse duhet të ketë zgjatje të mandatit për kreun e SPAK, Xhafaj tha se nuk e sheh të arsyeshme një gjë të tillë.
“Deri më sot nuk kam parë argumenta që e justifikojnë një zgjatje mandati. Mendoj se duhet të ketë një diskutim të mirëfilltë institucional,” deklaroi Xhafaj.
Sipas Xhafajt, në legjislaturën e ardhshme do të ketë një konsolidim të reformës në drejtësi dhe aty do të ketë një qëndrim më të qartë lidhur me mandatin e prokurorëve apo kreut të SPAK.
“Në legjislaturën e re, kur të bëhet konsolidimi i reformës në drejtësi, do të ketë një qëndrim më të qartë për këtë çështje”- shtoi deputeti i PS.
Në përfundim të mandatit të komisionit i cili nuk dihet nëse do të vijojë sërish veprimtarinë në shtator, Xhafaj dorëzoi dy dokumente për kuvendin. Më herët, kreu i SPAK, Altin Dumani e ka cekur mandatin e prokurorëve si një problematikë për vazhdimësinë e tyre duke ngritur si propozim të drejtën e tyre për të rikandiduar. Versus.al







