
Himarë- 5 punonjës të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit dhe drejtuesi i kësaj drejtorie në Bashkinë e Himarës janë shkarkuar mëngjesin e kësaj të hëne me vendim të kryetarit të bashkisë së qytetit bregdetar, Vangjel Tavo. Janë ende të paqarta arsyet se përse është marrë ky vendim.
Mësohet se ky sektor, që ka në fokus mbrojtjen e terrenit nga ndërtime të paligjshme dhe abuzime, ka bërë të kundërtën e asaj që ligji dhe rregullorja i përcakton, duke abuzuar me detyrën. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagim zyrtar nga ana e institucionit mbi shkaqet që dërguan në shkrirjen e një strukture që duhet të jetë në terren për të konstatuar të gjitha shkeljet.
Ditën e djeshme inspektorë të IKMT zbarkuan në jug të vendit për të shembur ndërtime pa leje, situatë e përsëritur kjo në mes të sezonit turistik. Bizneset lokale u ankuan për zhurmat e shkaktuara nga fadromat ndërkohë që pushuesit kishin rezervuar për të kaluar fundjavën.
4 ndërtime pa leje u shembën të dielën në Jalë, ndërkohë që aksioni do të vijojë edhe sot në Dhërmi. Versus.al







