AKTUALITET /

Aeroporti i Vlorës i bllokuar, Karakaçi: Do vendosim penalitete deri në prishjen e kontratës!

Qeveria ka paralajmëruar prishjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës për shkak të konfliktit mes aksionerëve dhe bllokimit të punimeve në kantier. Ministri Enea Karakaçi theksoi se vonesat po dëmtojnë interesin publik dhe se nuk do të tolerohet më shtyrja e nisjes së fluturimeve.

Shkruar nga Versus
Aeroporti i Vlorës i bllokuar, Karakaçi: Do vendosim penalitete deri
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi

Qeveria ka paralajmëruar mundësinë e prishjes së kontratës koncesionare për Aeroportin e Vlorës, pas përshkallëzimit të konfliktit mes aksionerëve dhe bllokimit të punimeve në kantier.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se për shkak të konfliktit mes ortakëve dhe pezullimit të punimeve, aktualisht nuk ka një datë të përcaktuar për nisjen e fluturimeve.

Ai theksoi se situata nuk do të tolerohet më tej dhe se çdo vonesë po sjell pasoja të drejtpërdrejta ekonomike dhe dëmton interesin publik.

“Mos operimi ose bllokimi i tij nuk është thjesht çështje biznesi privat, është çështje e interesit publik dhe shtetëror”, u shpreh Karakaçi, duke theksuar se çdo ditë vonesë përkthehet në humbje për ekonominë, turizmin dhe buxhetin e shtetit.

Ai shtoi se ministria do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë në varësi të shkeljeve të kontratës, duke nisur nga vendosja e penaliteteve deri te mundësia e zgjidhjes së njëanshme të koncesionit, nëse vonesat vazhdojnë.

Sipas tij, situata aktuale ka sjellë edhe mosplotësimin e infrastrukturës civile dhe mungesën e certifikimeve të nevojshme për operim, duke e bërë të pamundur nisjen e fluturimeve.

Ndërkohë, prej disa ditësh punimet në aeroport janë ndërprerë pas përjashtimit të një prej nënkontraktorëve nga kantieri, në një kohë që konflikti mes aksionerëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi vijon prej kohësh edhe në gjykatë.

Çështja lidhet me mosmarrëveshje mbi ndarjen e aksioneve në kompaninë koncesionare “Vlora International Airport”, ndërsa autoritetet ligjzbatuese kanë nisur gjithashtu hetime për pretendime mbi mashtrim dhe shkelje të tjera ligjore, si dhe verifikimin e procedurave të koncesionit nga SPAK./Versus.al

Poll