
Tre persona janë arrestuar në Dubai pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të autoriteteve shqiptare nën dyshimin e veprave penale të kryera në kuadër të grupit kriminal.
Në pranga kanë rënë tre anëtarët e grupit të të shumëkërkuarit Talo Çela, konkretisht Ervis Daka 38 vjeç, Maksim Koçi 39 vjeç dhe Aldo Xhika, 40 vjeç. Ndaj të treve, gjykata e posaçme ka caktuar në vitin 2024 masën e sigurisë “arrest me burg” pasi dyshohen se kanë marrë pjesë në disa ngjarje kriminale.
Ervis Daka dyshohet për veprat penale “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Ai akuzohet se ka dhënë informacione për atentatorët e vrasjes së mbetur në tentativë të K.P duke u zbuluar detaje mbi lëvizjet e tij, ka siguruar kushtet për vrasjen e A.S si dhe ka strehuar dhe ka transportuar të shumëkërkuarin Talo Çela duke i siguruar kushtet e nevojshme për jetesë.
Maksim Koçi akuzohet për të njëjtat veprat penale, ndërsa dyshohet se ka marrë pjesë në dy vrasje të K.K dhe I.A si dhe ka siguruar kushtet për vrasjen e A.S dhe A.C alias A.S. Gjithashtu ka ndihmuar Talo Çelën duke e strehuar.
Aldo Xhika dyshohet se për 2 vite ka ndihmuar Talo Çelën duke i siguruar kushtet e nevojshme për jetesë si dhe ka shoqëruar një gazetar për të intervistuar të shumëkërkuarin i cili u përpoq të pastronte emrin e tij nga përfolja në ngjarjet kriminale si grabitja e Rinasit.
Pas arrestimit të këtyre tre personave, kanë nisur procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë. Versus.al








