AKTUALITET /

Banorët e Rrjollit nuk ndalen, bllokojnë përsëri punimet për resortin e Bashkim Ualjt! Policia shoqëron 6 veta, mes tyre dhe një grua

Banorët e Rrjollit në Velipojë kanë bllokuar rrugën dhe protestuar ndaj kompanisë “Gener 2” të Bashkim Ulajt për ndërtimin e një resorti luksoz, duke akuzuar grabitje prone. Policia ka shpërndarë protestuesit dhe ka shoqëruar 6 persona, ndërsa kompania konfirmon se puna do të vazhdojë sipas planit.

Shkruar nga Versus
Banorët e Rrjollit nuk ndalen, bllokojnë përsëri punimet
Foto nga shoqërimi i banorëve dhe Luçiana Kokaj

Banorët e Rrjollit në Velipojë kanë protestuar edhe sot duke i bërë pritë punonjësve të kompanisë “Gener 2”, të biznesmenit Bashkim Ulaj, dhe duke bllokuar rrugën për makineritë e ndërtimit. Ulaj po ndërton në zonë një resort luksoz, ndërsa banorët prej ditësh protestojnë kundër projektit, duke pretenduar se pronat e tyre janë grabitur.

Efektivët e policisë mbërritën rreth orës 08:30 dhe spostuan banorët, duke hapur rrugën për makineritë. Në përplasjen e protestuesve me policinë u shoqëruan 6 persona, përfshirë Luçiana Kokaj, e njohur për angazhimin e saj në mbrojtje të të drejtave të banorëve.

Protestat e banorëve kanë qenë të vazhdueshme, duke përfshirë edhe tubime para SPAK dhe Parlamentit, si dhe përplasje të herëpashershme me policinë pranë zonës ku kompania “Gener 2” ka nisur punimet për projektin në një sipërfaqe prej 146 hektarësh pranë Ranës së Hedhun. Bashkim Ulaj dhe dy vëllezërit e tij u shpallën investitorë strategjikë në dhjetor 2024.

Pavarësisht protestave dhe denoncimeve të banorëve, kompania ka bërë me dije se projekti do të vijojë sipas planit, duke konfirmuar qëndrimin e saj të prerë./Versus.al

Poll