
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të martën e sotme ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg ish-drejtorin juridik të bashkisë së Bulqizës, Denis Xholin i cili u shpall fajtor për veprën penale ‘’Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’’.
Vendimi u mor nga gjyqtarët e posaçëm, Etleva Deda, Elsa Ulliri dhe Bib Ndreca.
Përveç këtij dënimi, Xholit do t’i ndalohet për 5 vite ushtrimi i profesionit në institucionet publike. Dënimin do ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme. Denis Xholi ishte një nga 7 zyrtarët e Bashkisë Bulqizë që u akuzua dhe arrestua nga SPAK në dosjen e ish-kryebashkiakut të Bulqizës Leftfer Alla, për abuzimin me një tender me vlerë rreth 322 milionë lekë për ndërtimin e ujësjellësit të ri në qytetin e Bulqizës.
Dyshohet se Alla në bashkëpunim me ish-zyrtarët e tjerë, favorizoi dy kompani gjatë procedurës së dhënies së tenderit me qëllim që punimet e mëtejshme për ujësjellësin t’i kryente kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila është në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Konesha. Kompanitë që dolën fituese të tenderit kishin ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’. Versus.al







