AKTUALITET /

Denoncimi/ Ish-gjyqtari në Sarandë përvetëson 20 mijë metra katrorë tokë në Ksamil, dikur ia dha me vendim gjykate Komunitetit Bektashi

Banorët e zonës kanë deklaruar se prona ku punon vazhdimisht ish-gjyqtari i Sarandës, Petrit Aliaj, është rreth 20 mijë metra katrorë, buzë detit Jon

Shkruar nga Versus

Denoncimi/ Ish-gjyqtari në Sarandë përvetëson 20 mijë

Një skandal me pronat në zonën turistike në Ksamil, është publikuar mbrëmjen e sotme ku një ish-gjyqtar i Sarandës, Petrit Aliaj, pasi i ktheu Bektashinjve 160 hektarë kur ishte në detyrë, është kapur duke ndërtuar pa leje në të njëjtën sipërfaqe.

Gjyqtari ka lënë togën e gjyqtarit dhe ka përveshur mëngët duke punuar me llaç, gurë dhe karrocë në pronën në hyrje të qytezës së Ksamilit, buzë detit Jon.

Emisioni investigative “Fiks Fare” ka mësuar se, Petriti ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Sarandë, nga viti 1995 deri në 2013-ën dhe më vonë, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Vlorë. Petriti u shkarkua nga Vetingu në muajin qershor të vitit 2020.

 Vendimi u la në fuqi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në nëntor 2022. Arsyeja e shkarkimit ishte për shkak se nuk kishte deklaruar një pallat 7 katësh në Sarandë, me letra në emër të babait dhe vëllait.

Ndërkohë, në dokumentet e Vetingut, nuk ka asnjë rresht për pronën në Ksamil. Banorët e zonës kanë deklaruar se prona ku punon vazhdimisht është rreth 20 mijë metra katrorë, buzë detit Jon.

Denoncimi/ Ish-gjyqtari në Sarandë përvetëson 20 mijë

Një pronë, që vetë Petriti, në kohën kur ishte gjyqtar, ia ka kthyer Komunitetit Bektashi. Me letra, prona figuron në emrin e një qytetari nga Përmeti, i cili nuk është parë asnjëherë në zonë. Ndërkohë që, ish-gjyqtari, në gjithë përballjet me banorët dhe institucionet lokale, shprehet se prona është e tij. “Është prona ime. S’ka bir k… që të punojë atje” dëgjohet t’u thotë Petriti banorëve të Ksamilit.

Por, ndryshe nga sa shkruhet në letra, në terren është një situatë tjetër. Fiks Fare ka vëzhguar për disa ditë të gjithë zonën. Ish-gjyqtari, Petrit Aliaj, paraqitet rregullisht. Ai kryen punime, bashkë me vëllanë, njëherë me karrocë. Më pas saldojnë konstruksionet metalike. Në pamje të tjera, Petriti mban në dorë një nivel. Ai bën edhe piketime të pronës.

Banorët e zonës janë ankuar për këto punime, pa asnjë leje. Në terren kanë shkuar fillimisht inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

 Fiks Fare ka siguruar pamje të këtyre inspektimeve, ku vetë AKB-ja ka lajmëruar banorët nëpërmjet një shkrese se janë konstatuar ndërhyrje në territor.

“Ka proces punimesh për një strukturë shërbimi” shkruan Agjencia, ndërkohë që deri më sot, për atë stacion dhe parcelë plazhi, nuk është dhënë asnjë leje. E njëjta shkresë, i është dërguar edhe IKMT-së.

Deri më sot, sipas fotove dhe videove që ka siguruar Fiks Fare, asnjë institucion nuk ka ndërhyrë. Në atë plazh, kanë shkuar edhe punonjës të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, duke bërë matje. Ndryshe nga aksioni në Sarandë, policia apo vetë AMP-ja nuk kanë nuk kanë nxjerr asnjë njoftim për ndonjë hetim të mundshëm.

Fiks Fare ka siguruar një regjistrim, ku Petrit Aliaj flet me një banor të zonës, duke u konfliktuar për kufijtë, duke i dhënë edhe planvendosjen e pronës.

“Kam vërtetimin e pronësisë unë, kam planvendosjen. Vër një etiketë ku bie e imja. Tani vërja dhe këtij. Sa është mbivendosja, kaq” pohon ai, duke iu kundërpërgjigjur banorit se “si do të marrësh pronën time ti, unë të rri këtu t’a paguaj me lekë dhe ti të më marrësh të punosh mbi mua”.

Në bisedë duket mjaft qartë se Petriti rezulton si pronar, pasi i thotë se “unë në pronën time s’të lë të punosh”. Më pas e kërcënon se do t’i bëjë një kallëzim dhe se banori, sdo të mund të ndërtojë.

 “Leja të është dhënë mbi pronën time o burrë. Unë të pezulloj ty, të kap gjyq ty. Pse unë jam budalla që marr njerëzit që po vënë pikat mbi pasurinë. Ne po e marrim nga Hipoteka këtë, s’e kemi marrë nga xhepi këtë. Tani është prona ime, është logjike” thotë ai.

Një pjesë mjaft interesante e të gjithë kësaj bisede është fakti se ish-gjyqtari i thotë banorëve se arrin që të pezullojë edhe lejet e kryeministrit Edi Rama.

“Unë e di shumë mirë se kam pezulluar firmën e Edi Ramës, sa për dijeni. Unë dhe shokët e mi i pezullojmë sot e kësaj dite.

Kështu që mos të të shkojë ty ndërmend që ke marrë leje” vijon ai, ndërsa i thotë se të gjitha palët do të humbasin nëse bëjnë gjyq. “Edhe unë do harxhoj lekë dhe ti do harxhosh lekë, mblidhe mendjen bëje top.

Unë e di se çfarë do të thojë avokati, hajde mos e ça b… se më ke mua. Po kur t’i fusi gjykata t’a pezulloj, pastaj do të thojë avokati, që s’kisha pranuar gjykatën” i shton ai.

Ndërkohë, pas disa ditësh, qytetari shkon sërish pas disa ditësh te prona ku po bën punime ish-gjyqtari Petrit Aliaj. E gjen duke punuar, duke sistemuar strukturat e drurit, të gurit dhe ato metalike, të gjitha pa leje nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.

 “Kam bërë gabim që s’kam bërë denoncim, do të të bëj tani e tutje. S’kemi çfarë të diskutojmë bashkë” i thotë Petriti njërit prej banorëve.

Fiks Fare ka siguruar dosjen e njohjes së 160 hektarëve tokë në Ksamil, dosje në të cilën del disa herë emri i ish-gjyqtarit Petrit Aliaj.

Gjatë kohës që ushtronte detyrën si gjyqtar në Sarandë, Aliaj ka dhënë disa vendime gjyqësore për njohjen e kësaj sipërfaqeje në favor të Komunitetit Bektashi. Aliaj është gjyqtari që ka përcaktuar kufijtë e kësaj prone, ka dhënë vendime gjykate që njihen si vërtetime fakti juridik, duke bërë njohjen e kësaj prone prej 160 ha, pronarëve të saj.

“Petrit Aliaj kur ka qenë gjyqtar në Sarandë, dhe në vitet 2016, 2017, 2018 dhe 2019, ka lëshuar një mori vendimesh për t’ia njohur, vërtetuar, saktësuar kufijtë dhe ka nxjerrë urdhra ekzekutimi për atë pronë, ku aktualisht po punon edhe vetë” tha banori. Ironia e fatit është se prona, ku Petrit Aliaj po punon aktualisht, me sipërfaqe mbi 20 mijë metra katrorë, përfshihet në sipërfaqen e madhe prej 160 hektarësh.

 Vendimet e gjykatave kanë edhe hartën, ku duket mjaft qartë se trualli që Aliaj pretendon pronësinë, ndodhet brenda asaj zone. “Dyshojmë se truallin e ka marrë si ryshfet për atë njohje. Ne kërkojmë që institucionet të hetojnë të gjithë batërdinë e pronave” pohon banori.

Në terren kanë shkuar inspektorë nga Agjencia e Bregdetit, nga Policia dhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Të gjitha këto institucione, janë përballur pikërisht me ish-gjyqtarin Petrit Aliaj. Fiks Fare ka siguruar pamjet ku duket qartë që ish gjyqtari është prezent  në pronën që po përgatitet për t’u bërë stacion plazhi gjatë kohës së inspektimit që këto institucione kanë bërë në terren.

Siç duket nga pamjet, ish Gjyqtari Petrit Aliaj, po punon personalisht dhe po e bën gati për sezonin veror, megjithëse për këtë prone nuk ka asnjë leje të miratuar dhe të publikuar deri më sot nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit apo nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit.

Poll