
Qindra abonentë kanë shpërthyer kundër operatorit të telekomunikacionit One Albania, duke e akuzuar kompaninë si “zhvatëse dhe mashtruese”.
Në rrjetet sociale dhe platforma online, qindra përdorues kanë ngritur shqetësime të rënda për cilësinë e internetit, tarifat e larta dhe mbulimin e dobët të rrjetit.
Ankesat më të shpeshta lidhen me ndërprerjet e vazhdueshme të lidhjes, shpejtësinë e ulët të internetit dhe konsumin e shpejtë të paketave të të dhënave.
Shumë abonentë raportojnë se paketat e tyre “mbarojnë shumë shpejt”, ndërsa të tjerë përjetojnë sinjal të dobët dhe mbulim të pamjaftueshëm në zona të caktuara të vendit.
“Interneti është copë-copë dhe nuk justifikon çmimin që paguajmë,” shkruan një qytetar në komentet e publikuara.
Të tjerë shprehin pakënaqësi të thellë për raportin mes kostos mujore dhe cilësisë së shërbimit, duke e krahasuar me ofertat e operatorëve në vende të tjera europiane.
Për më tepër, abonentët kritikojnë ashpër mënyrën e komunikimit të kompanisë me klientët.
Shërbimi ndaj klientit përshkruhet si jo profesional, në disa raste arrogant, dhe shpesh i padobishëm në zgjidhjen e problemeve./Versus.al




