
Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë, ka vijuar këtë të martë deklarimet e tij në Gjykatën e Posaçme.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për anëtarët e grupit kriminal të arrestuar në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.
Në këtë seancë, Dumani ka vijuar të kundërshtohet me tone të ashpra nga të arrestuarit për të cilët ka rrëfyer se në bashkëpunim me ta, ka kryer krime.
Një ndër to, Gentjan Sharra ka pretenduar se në kohën kur e implikon Dumani ai ka patur biznese, dhe nuk kishte asnjë arsye të përfshihej në krime/
“Kam marrë tendera 2 milionë euro, kam poseduar një automjet 50 mijë euro dhe pse duhej të kisha nevojë të merrja pjesë në një grabitje për të përfituar disa mijëra euro, të cilat do të ndaheshin”, deklaroi ndër të tjera Gentjan Sharra.
Ndërsa Petrit Qoli, një tjetër i arrestuar pretendoi se prej 3 vitesh mbahet i arrestuar nga deklarimet e Dumanit dhe ka lënë jashtë një grua që e dashuron. I pandehuri tjetër Enver Diva i ka kërkuar gjykatës që pas përfundimit të dëshmisë së Dumanit, gazetarët të lejohen në sallë për të pasqyruar versionin e tyre./Versus.al








