
Pas dhunës skandaloze ndaj protestuesve në Zvërnec, ku njëri prej qytetarëve u tërhoq zvarrë nga truprojat private, policia ka vendosur të heqë licencën për 2 kompanitë “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”.
Hetimet e policisë kanë zbuluar se dy të dyja këto subjekte kanë kryer shkelje. Konkretisht “Myrto Security 1.3A”, nuk kishte marrë masat për sigurinë e objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për regjimin e hyrje-daljes së personave e mjeteve në object.
Njoftimi i policisë thotë se persona të panjohur nga personeli i shërbimit hynë në brendësi të rrethimit dhe pa patur asnjë atribut ligjor, tërhoqën me forcë një qytetar duke i shkaktuar edhe lëndime trupore. Gjithashtu hodhën gurë e sende të tjera ndaj protestuesve.
“Ndaj këtyre shtetasve që kryen veprimet e dhunshme, punonjësit e ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kanë kryer asnjë veprim parandalues apo për largimin e tyre”- thotë policia.
Ndërsa Gerald Biba, punonjësi i licensuar i “Major Security”, së bashku me 2 persona të tjerë të cilët ishin të palicensuar, shpërdoruan detyrën duke goditur me grusht protestuesin të cilin më pas e morën zvarrë.
“Në përfundim të hetimeve administrative, për shkeljet e konstatuara në të dy subjektet, ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, referuar ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të dy subjekteve iu hoq licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti”- shtohet më tej në reagimin e policisë. Versus.al

