Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e biznesmenit Rexhep Ismaili në fshatin Gjashtë të Sarandë, ngjarje e ndodhur në lokalin dhe karburantin në pronësi të tij.
Sipas burimeve për mediat, konflikti që çoi në përshkallëzimin e situatës nuk e përfshinte drejtpërdrejt viktimën, por një tjetër person që ndodhej në lokal. Mësohet se gjatë mbrëmjes në ambientet e biznesit kanë shkuar rreth 10 persona, të cilët dyshohet se kanë pasur një konflikt pronësie dhe kanë tentuar të rrëmbejnë një individ.
Në këtë moment, Rexhep Ismaili ka ndërhyrë duke u thënë autorëve se “djali është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot këtu”, çka ka sjellë agravimin e situatës dhe nisjen e shkëmbimit të zjarrit.
Gjatë përplasjes me armë, dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili nuk është paraqitur në spital dhe së bashku me një prej autorëve, të identifikuar si Lulzim Tabaku, janë larguar dhe vijojnë të jenë në kërkim.
Në vendngjarje ka mbetur edhe një automjet i dyshuar i përdorur nga autorët. Policia e Shtetit ka ngritur pika kontrolli dhe po kreh zonën për kapjen e tyre, ndërsa kontrolle po kryhen edhe në spitale dhe klinika private për identifikimin e të plagosurit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 pranë karburantit “Vëllezërit Ismaili”, në zonën e njohur si Qafa e Gjashtës, ndërsa familjarët dhe banorët e zonës janë tronditur nga vrasja e biznesmenit, i cili ishte edhe drejtues lokal i Shoqatës Patriotike “Çamëria”./Versus.al


