AKTUALITET /

Do i shiste në Fresk/ Trafikonte armë zjarri nga Kosova në Tiranë, si u kap 27-vjeçari me 12 pistoleta

Shkruar nga Versus
Do i shiste në Fresk/ Trafikonte armë zjarri nga Kosova në
Pamje nga aksioni i policise/ Dugagjin Berisha

Policia e Tiranës ka goditur një rast të trafikut të armëve të zjarrit, duke sekuestruar 12 pistoleta dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në zonën e Freskut.

Si rezultat i operacionit të koduar “Barriera”, u arrestua në flagrancë shtetasi Dugagjin Berisha, 27 vjeç, banues në Kosovë, i cili ishte posedues i armëve.

Operacioni u krye nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas disa javësh hetime proaktive për parandalimin dhe goditjen e trafikut të armëve të zjarrit.

Gjatë ndërhyrjes, policia ndaloi një automjet “Volkswagen” në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, që drejtohej nga 27-vjeçari.

Në kontrolle u gjetën 10 pistoleta Glock të fshehura nën kofano, të cilat përmbanin municion luftarak. Në vijim të procedimit penal, u sekuestruan edhe dy pistoleta të tjerë Glock, duke e çuar numrin total të armëve të sekuestruara në 12.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore./Versus.al

  

 

 

 

Poll