
GJKKO ka dënuar ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, me 2 vite e 1 muaj burg për akuzën e korrupsionit pasiv.
Por ky dënim do të konvertohet me 2 vite shërbim prove, me kusht që ajo të mos kryejë tjetër vepër penale.
Sipas burimeve, gjykata i hoqi Islamajt të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Në të njëjtën çështje, GJKKO dënoi edhe ndërtuesin Rrok Gega me 6 muaj burg, dënim që u pezullua duke u vendosur në shërbim prove për 1 vit.
SPAK ka akuzuar Islamajn për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Gegën për korrupsion aktiv.
Sipas dosjes, bëhet fjalë për një tender ku Islamaj dyshohet se i kishte kërkuar ndërtuesit Rrok Gega ndërtimin e një ure pranë banesës së motrës së saj, urë e cila nuk ishte parashikuar në projekt. Sipas SPAK, ajo kishte ndërhyrë te ndërtuesi dhe kishte angazhuar edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve në bashki.

