Mustafa Martinaj, babai i biznesmenit të zhdukur Ervis Martinaj ka dhënë sot dëshminë e tij në GJKKO teksa zhvillohet procesi gjyqësor për pronat e sekuestruara të djalit të tij.
Martinaj foli për historinë e të birit duke nisur që prej studimeve në Itali për ekonomi e deri tek rikthimi i tij në Shqipëri e më pas përfshirja në biznesin e basteve. Duke treguar sesi djali i tij kishte nisur jetën pasi erdhi sërish në vend, Martinaj tregoi edhe se gjatë kohës së vështirë në vitin 1999 kishte qarkulluar me 800 mijë euro në makinë.
Ndërsa në vijim tregoi sesi ish-bossi i lojërave të fatit kishte vijuar me bizneset e tij dhe pas 2018-ës ishte kthyer për të jetuar në Laç.
Dëshmia e Mustafa Martinajt:
Visi fillimisht ishte student në Parma të Italisë, rreth vitit 2000-2001. Shkoi me bursë studimesh, studioi ekonomi dy vjet në Itali. Vajzat ishin shkollë Shqipëri; kur vajzat filluan studimet, Visi u transferua që të rrinte me të motrat në Tiranë. Pastaj më vonë u martuan.
Banesa u mor, mos gaboj, fundi i 2005. Visi ka qenë mbi mesataren me studimet. Dëshironte të shkonte në shkollë në Itali. I la përgjysmë studimet në Itali dhe erdhi në Tiranë tek të motrat. Derisa shkoi në shkollë ishte shumë punëtor dhe i pëlqente pavarësia; në Itali nuk pati bërë asnjë punë.
Mua më ka kërkuar ndihmë për të blerë shtëpi të përbashkët. Kam blerë dy makina, një për vajzat, një për Visin. Për vajzat kam marrë kredi 12,500 euro, makinë e vogël, markë japoneze. Asnjë lloj shqetësimi nga djali s’kam patur. Kisha çelësat; dora e thatë nuk puthet.
Jemi familje tradicionale malësore. Vazhdoi shkollën për ekonomi edhe pasi erdhi në Shqipëri; provimet nuk i dha, se ka marrë diplomën. Pati hapur vet i dyti, emrin s’ma kujtoj; me e kërku emrin mund t’ia gjej, djalë nga Tirana, riparonin lodrat që luanin këta me kuaj. Mua që më sheh këtu, invalid siç isha, kam qarkulluar tek pull i vetëm nga Tirana me mbi 800 mijë dollarë cash, karta e telefona në 12 të natës, në periudhën më të vështirë, në ’99, bandat ishin rrugës.
Kam pas një makinë 2,400; i çoja në bagazh, në Rubik e Rrëshen, ishin paratë e aktivitetit tim. UFT ishte institucion privat, Unioni Financiar i Tiranës, aty merrja shumat. As edhe një gërvishtje s’më ka ndodhur; kam luajtur me kokën time, u ndodhin të tjerëve incidente”.
Nga 2008 e pas, djali është marrë me pika llotosh me licencë, detyrim 100% i paguar nga kompania si dhe ato vendore. Të parën pikë, s’mbahet mend ku e ka hapur. Po më pyeste mua, do t’i thoja jo. Mati Union e kam patur unë, është llogari transfertash; llotari fati unë personalisht s’kam patur. Kam kaluar të gjitha llojet e hetimeve. Ime shoqe dhe im vëlla kanë patur prokurë për të kryer veprime me Mati Union, edhe sot që flasim kam person të autorizuar që merrem. Me djalin kam folur dhjetra herë për aktivitetin e tij. Jemi përballur tek ansambli Çiftelia në gjyq. Është marrë vendimi nga Shkalla e Parë.
A. Kaçorri është nipi im, Visi ishte i imi, Alfio ishte djali i vajzës; është 14 vjeçar (e pyeti prokurorja çfarë marrëdhëniesh ka Ervisi me nipin). A. Kaçorrit i kam bërë unë dhuratë për ditëlindje, fjala bie 1,000 €, se e kam nip.
Kam dijeni që djali është dënuar për lojra fati. I kam kaluar të gjitha hetimet, nga Banka e Shqipërisë tek pastrimi i parave. Bisere Hato e njoh pas ngjarjes në Bllok në vitin 2018, ku u plagos djali dhe u vra një tjetër. Vrasësi nuk ka bërë asnjë ditë burg.
Një pasuri që sot është e sekuestruar në emër të Bisere Hatos, ia ka falur im bir, Eljo Hatos, me pëlqimin tim. Falja e banesës është bërë vetëm sepse Eljo Hato, djali i Biseres, i ka shpëtuar jetën Visit. Të parën makinë të mirë që ka pasur djali ka kushtuar 60 mijë euro, ose 48 mijë euro, me paratë e mia. E kam blerë herët. Në jetën e tij s’më ka sjellë shqetësim në shtëpi. Nuk ka të ri që s’ka konflikte apo zënka; deri në 2018, kurrë, pyesni në Laç, të flasë dikush keq, i përmendej emri me respekt.
Në 2018, ka ardhur dhe ka jetuar me gjithë familjen tek unë. Iku nga Tirana; bëmë pashaportizimin. Merrej kryesisht me gjueti dhe peshkim, jo për tregti. Në Laç ka qëndruar deri ditën e zhdukjes, 9 gusht 2022. Një herë jam thirrur me kërkesën time, jam deklaruar. Jetonte me të ardhurat që ka pasur nga biznesi që ka marrë, pastaj ka jetuar me mua. Me siguri ka blerë ndonjë makinë vetë; nuk di për ndonjë pronë të tijën në Tiranë. Kishte një apartament tek Qemal Stafa; sipas dijenisë sime, asnjë pronë tjetër.
Hotel Arbëria duhet ta kem blerë në 2016-2017. Ishte i mbyllur në atë kohë; kam investuar paratë e dynjasë. Duhet të shoh preventivin për të parë koston. Aktiviteti ka vijuar i njëjtë siç ka qenë. Biznesi është blerë nga Mustafa Martinaj. Pas vdekjes së Visit, pas zhdukjes, 23 herë më ka ardhur policia; mos të rënët e liga, unë s’jam as budalla, as naiv. Pyet Nallbatin me shokë të të tregojnë ata. Versus.al


