Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së hënës në Shkodër, ku një 67-vjeçar, Hysni Ymeri, babai i dy fëmijëve humbi jetën pas një shpërthimi të fuqishëm në hyrjen e pallatit ku banonte në lagjen “Manush Alimani”.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 10:10, ndërsa viktima po dilte nga pallati.
Policia fillimisht raportoi se dyshohej një shpërthim në panelin e matësve të energjisë elektrike, por OSHEE mohoi këtë mundësi, duke deklaruar se kutia e matësve nuk mund të shkaktojë një shpërthim, por vetëm zjarr.
Kjo ka ngritur dyshimet për një atentat të mundshëm, me lëndë plasëse të vendosur në hyrje të pallatit.
Hysni Ymeri jetonte në katin e katërt të pallatit bashkë me bashkëshorten, e cila ndodhej në spital për arsye shëndetësore në momentin e ngjarjes.
Njësia anti-eksploziv e nisur nga Tirana po punon për të përcaktuar llojin e lëndës dhe për të sqaruar nëse shpërthimi ka qenë i telekomanduar.
Shpërthimi shkaktoi shkatërrimin e plotë të kutisë së matësve të energjisë dhe dëmtime të pjesëve metalike në shkallë.
Forcat speciale RENEA mbërritën në vendngjarje për të siguruar zonën dhe për të mbledhur provat. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar autorin dhe për të sqaruar motivet pas këtij incidenti tragjik, ndërsa pista e mundshme e atentatit mbetet në fokus të hetuesve./Versus.al


