Një 30-vjeçare e huaj është gjetur e vrarë brenda një banese në Tiranë, të cilën ajo kishte marrë me qira së bashku me partnerin e saj.
Ngjarja u zbulua kur pronarët e banesës njoftuan policinë, pasi çifti nuk ishte parë për dy ditë dhe nuk përgjigjej.
Kur policia hyri në banesë, gjeti trupin e gruas me shenja thike në pjesën e barkut. Gjaku i tharë tregonte se vrasja mund të kishte ndodhur një ose dy ditë më parë, megjithatë data e saktë do të përcaktohet nga ekspertiza mjekoligjore. Partneri i saj, i cili është personi kryesor i dyshuar, nuk u gjet në vendngjarje dhe besohet se është larguar nga Shqipëria.
Çifti kishte ardhur në Tiranë më 19 tetor dhe kishte marrë banesën me qira.
Sipas dëshmive, ata flisnin gjermanisht dhe arabisht dhe gruaja ishte e mbuluar me ferexhe.
Pronarja e banesës kishte kërkuar dokumentat identifikuese të tyre, por fillimisht ata kishin refuzuar, duke thënë se nuk i kemi. Më vonë, kur pronarja u kthye për të biseduar, nuk iu përgjigjën dhe nuk e hapën derën.
Pas hyrjes së policisë, u konstatua se dhoma ishte e zbrazët, dhe dyshohet se partneri i viktimës ka marrë me vete të gjitha dokumentet e saj.
Hetimet janë duke u zhvilluar, ndërsa policia po kërkon të gjurmojë lëvizjet e dyshuarit dhe të sqarojë rrethanat e kësaj vrasjeje misterioze./Versus.al







