
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Lushnjes, ditën e enjte (20 mars). Dy të rinj të identifikuar si Enea Korresha, 17 vjeç dhe Irdi Nasufi 20 vjeç kanë dhunuar 44 vjeçarin Fabjol Hysin i cili është pjesë e komunitetit të personave me aftësi të kufizuar.
Nëna e 44 vjeçarit në një intervistë për News24 ka dhënë detaje nga ngjarja e rëndë. Ajo ka treguar se djalit i kanë çarë kafkën me gurë sapo ka dal nga xhamia dhe se i është nënshtruar një operacioni por gjendja e tij vijon të jetë e rënduar.
“Djalit i kanë çarë kafkën me gurë. Të premten djali iu nënshtrua një operacioni, por gjendja shëndetësore e djalit vijon të jetë kritike. Ngjarja ndodhi të enjten, kur djali sapo doli nga xhamia
Dy djemtë e tjerë e goditën me gurë, njërin prej tyre e kemi fqinj, ndërsa tjetrin nuk e njohim.
Me fqinjët nuk kemi probleme. Djali nuk më ka shprehur më parë shqetësime, nuk e di shkakun përse dy të rinjtë e sulmuan”, ka deklaruara ajo.
Sakaq vlen të theksojmë se lidhur me këtë ngjarje kanë rënë në pranga dy të rinjtë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit arrestuan në flagrancë shtetasit I. N., 20 vjeç dhe E. K., 23 vjeç, të dy banues në Lushnjë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me gurë, një 43-vjeçar, i cili aktualisht është në kujdesin e mjekëve”, thuhej në njoftimin e Policisë ditën e premte, një ditë pas ngjarjes./Versus.al








