Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e djeshme në fshatin Theth, Shkodër, ku një konflikt mes disa personave përfundoi me të shtëna me armë zjarri dhe dhunë fizike.
Policia e Shkodrës ka arrestuar 33-vjeçarin Alfred Rrupa, banues në zonë, pasi akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri të tipit pistoletë në drejtim të një automjeti ku ndodheshin tre persona.
Për pasojë, në mjetin e drejtuar nga 29-vjeçari N. H. u shkaktuan vetëm dëme materiale, ndërsa në automjet ndodheshin edhe dy pasagjerët P. H., 27 vjeç, dhe D. Rr., 29 vjeç.
Pas të shtënave, tre personat që udhëtonin me automjetin kanë ushtruar dhunë fizike ndaj autorit të dyshuar, Alfred Rrupa. Ata janë marrë në pyetje dhe janë vënë nën hetim në gjendje të lirë.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit së bashku me municionin luftarak, ndërsa materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme ligjore







