Sot, i burgosuri Altin Kodra është transferuar në Regjimin e Posaçëm (41-bis) në burgun e sigurisë së lartë në IEVP Peqin për një periudhë prej një viti. Ky transferim është realizuar me anë të Urdhërit Nr. 623, datë 16.12.2024, “Për vendosjen në regjim të posaçëm të të drejtat në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë, të të burgosurit Altin Kodra”, i lëshuar nga Ministri i Drejtësisë, sipas një njoftimi të përhapur nga autoritetet.
Altin Kodra është dënuar me 22 vjet burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me vendimin nr. 236, datë 10.06.2008, për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, në përputhje me nenet 76 dhe 278/2 të Kodit Penal. Kodra po vuan dënimin për vrasjen e biznesmenit të tullave në Shkodër, Zamir Bilali, e cila ndodhi më 14 gusht 2006, pas një përleshjeje mes tyre si fqinjë.
Gjatë qëndrimit të tij në burg, Kodra ka kryer edhe vepra të tjera penale. Më 11.10.2012, ai u dënua nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë me vendimin nr. 128 për “Largim nga vendi i qëndrimit” në përputhje me nenet 323-25-22 të Kodit Penal. Ai gjithashtu është dënuar dy herë të tjera më 02.07.2021 dhe më 04.05.2022 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan për “Futjen ose mbajtjen e sendeve të ndaluara në IEVP”, sipas nenit 324/a/1 dhe 324/a/2 të Kodit Penal.
Regjimi 41-bis është një masë sigurie që zbatohet për të burgosur të përfshirë në aktivitete kriminale të rënda, si pjesë e grupeve kriminale të strukturuara, organizatave terroriste ose bandave të armatosura. Ky regjim synon të ulë rrezikun që individët e tillë paraqesin për sigurinë dhe rendin publik duke ofruar mbikëqyrje dhe kontroll më të ashpër mbi to./Versus.al







