AKTUALITET /

Denoncimi i PD: Nadir Çausholli do të ndërtojë hotelin luksoz në Shkëmbin e Kavajës në ortakëri me "Visin e Pojës"

Shkruar nga Versus
Denoncimi i PD: Nadir Çausholli do të ndërtojë hotelin
Nadir Çausholli, Elvis Doçi "Visi i Pojës", kryeministri Edi Rama

Emri i biznesmenit Nadir Çausholli, pronarit të CFO Pharmas ku u një javë më parë u kryen kontrolle me urdhër të gjykatës së Tiranës, është përmendur së fundmi nga Partia Demokratike.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli tha se Çausholli pas dëmit 2.2 mln euro me recetar false, do të ndërtojë hotelin luksoz në Shkëmbin e Kavajës në ortakëri me të shumëkërkuarin Elvis Doçi, “Visin e Pojës”. Sipas zëdhënëses, Çausholli zotëron 60% të aksioneve tek kompania ‘ROCK OF KAVAJA’.

Më tej ajo deklaroi se për të blerë këto kuota, Nadir Çausholli i pagoi ortakut “Visit të Pojës”, vetëm 600 euro.

“Kështu, në korrik 2024, u  regjistrua kompania ‘ROCK OF KAVAJA’ sh.p.k., e cila vetëm dy muaj më pas mori nga vetë Edi Rama lejen për ndërtimin e një hoteli 10–11 katësh me 3 kate nëntokë në zonën e Shkëmbit të Kavajës, me kapital të deklaruar prej 2.2 milionë eurosh”, u shpreh Vangjeli mes të tjerash.

Duke shtuar se: “Nadir Çausholli zotëron 60% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër i përket ortakut të tij Elvis Doçi (Visi i Pojës). Për blerjen e këtyre kuotave Çausholli i pagoi ortakut vetëm 600 euro.”

Ajo u shpreh se drejtësia duhet të veprojë realisht duke sekuestruar pasuritë dhe bizneset e Nadir Çaushollit.

Deklarata e plotë:

Në vijim të hetimeve mbi abuzimet në sistemin e rimbursimeve të barnave, Prokuroria e Tiranës ka ushtruar disa ditë më parë një kontroll të gjerë në ambientet e kompanisë ‘CFO Pharma’, duke sekuestruar inventarët dhe dokumentacionin e rimbursimeve.

Kujtojmë se më 29 prill 2025, për Nadir Çaushollin ekziston një vendim gjykate i formës së prerë për veprën penale ‘manipulim i tregut’.

Sipas raportimeve, ai ka shitur medikamente deri në 180 herë më shtrenjtë se çmimi i tyre real, duke dëmtuar rëndë qytetarët dhe buxhetin e shtetit.

Historia e përfshirjes së tij në skema të paligjshme nuk është e re.

Që në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës konstatoi një dëm ekonomik prej 2.2 milionë eurosh ndaj shtetit nga receta false dhe abuzime me barnat e rimbursueshme, për çka Çausholli u arrestua.

Megjithatë, pas vitit 2017, bizneset e Çaushollit vijuan të lulëzojnë. Përveç linjës së autobusëve të ‘Unazës’ në Tiranë, ai hapi edhe pesë biznese të tjera, në disa prej të cilave rezulton bashkëpronar me persona publikë.

Pasi përfitoi miliona euro nga tenderat publikë, dhe ndonëse Agjencia e Prokurimit Publik (APP) në korrik 2024 e përjashtoi kompaninë CFO Pharma nga pjesëmarrja në tendera për 6 muaj, Çausholli vendosi ta ‘festojë’ këtë masë duke hapur një biznes të ri në fushën e turizmit.

Dhe nuk i doli keq….

Kështu, në korrik 2024, u  regjistrua kompania ‘ROCK OF KAVAJA’ sh.p.k., e cila vetëm dy muaj më pas mori nga vetë Edi Rama lejen për ndërtimin e një hoteli 10–11 katësh me 3 kate nëntokë në zonën e Shkëmbit të Kavajës, me kapital të deklaruar prej 2.2 milionë eurosh.

Nadir Çausholli zotëron 60% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër i përket ortakut të tij Elvis Doçi (Visi i Pojës).

Për blerjen e këtyre kuotave Çausholli i pagoi ortakut vetëm 600 euro.

Në këtë situatë, mbetet për t’u parë nëse drejtësia do të veprojë realisht duke sekuestruar pasuritë dhe bizneset e Nadir Çaushollit, apo këto do të mbeten vetëm masa ‘në letra’.

Për aq kohë sa Edi Rama vijon të jetë në krye të qeverisë, duket se për njerëzit e lidhur me pushtetin, ‘shoë must go on’, pavarësisht skandaleve, dënimeve apo abuzimeve me paratë e qytetarëve. Versus.al

Poll