
Prokuroria e Tiranës ka ushtruar kontrolle në disa subjekte që ofrojnë shërbime postare në kryeqytet, në kuadër të hetimeve për evazion fiskal.
Aksioni është zhvilluar pas dyshimeve për tregtim mallrash pa faturë tatimore.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 13 milionë lekë, si dhe sasi të konsiderueshme mallrash të marra në dorëzim pa fatura tatimore.
Gjithashtu, janë marrë dokumente dhe materiale të tjera që, sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përbëjnë prova për veprimtari të paligjshme dhe evazion fiskal. Shumat e parave të sekuestruara dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kundërligjor.
Prokuroria bën me dije se ka regjistruar procedimin penal nr. 156, viti 2026, për veprën penale të evazionit fiskal, të parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal. Kontrollet janë kryer pas autorizimit të gjykatës, me kërkesë të organit procedues.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e shitësve realë dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme.
Njoftimi i Prokurorisë:
Hetime subjekteve që ofrojnë shërbime postare, Prokuroria Tiranë regjistron procedim penal për evazion fiskal për mallrat që shiten pa faturë, sekuestrohen 13 mln lekë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë regjistron procedimin penal nr.156, viti 2026, për veprën penale të evazionit fiskal, të parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal.
Pas lejimit nga gjykata, me kërkesë të organit procedues, si rrjedhojëu ushtruan kontrolle në disa subjekte që ofrojnë shërbime postare në kryeqytet.
Deri më tani, nga kontrollet janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash të marra në dorëzim pa fatura tatimore, 13 milionë lekë, si dhe dokumentacion shoqërues, prova që sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, tregojnë paligjshmëri në drejtim të evazionit fiskal, si dhe shuma parash që dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm.
Hetimet vijojnë për identifikimin e shitësve realë dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme./Versus.al

