Lili Biti, 61-vjeçari nga Divjaka që u bë fermeri më i njohur në Shqipëri pas debatit të ashpër me kryeministrin Edi Rama disa ditë më parë, rrëfen për herë të parë detajet e takimit dhe pasojat e tij.
Me 35 vite eksperiencë në bujqësi dhe një sipërfaqe prej 10 hektarësh tokë, Lili kultivon perime fushe në të dyja stinët – nga panxhari e karrota te lakra e kuqe dhe çfarëdo që shfaqet në treg. Për të, bujqësia nuk është vetëm punë, por pasion dhe mjeti i vetëm ekonomik për të rritur dy fëmijët.
“Pa ndihmën e shtetit ne nuk mbijetojmë dot. Kam 8-10 ha tokë që mbjell perime të ndryshme – çfarë ju shikon syri në treg, panxhar lule, karrota”, thotë ai për TopChannel.
Lili sqaron se nuk kërkoi kurrë bllokim të importit, por mbrojtje reale të prodhimit vendas:
“Kryeministri e dëgjoi shumë mirë që unë nuk kërkova bllokimin e doganave, se ai ashtu më ktheu përgjigje. Unë kërkova që kur hyn mall nga importi, shteti të jetë rregullator: nëse ka fermer mall këtu, ai duhet të ngrejë referencën në doganë, siç ndodh në rajon. Por këtu ndodh e kundërta. Janë 4-5 tregtarë të mëdhenj dhe na konkurrojnë.”
Ajo që e shqetësoi më shumë nuk ishte kundërshtimi i idesë, por toni dhe arroganca e kryeministrit:
“Më vrau arroganca. ‘Ulu, ulu’ – unë ende pa folur, pastaj unë fola siç e ndjeva.”
Por zhgënjimi më i madh erdhi nga kolegët fermerë:
“Dola nga takimi, bëre mirë që fole. Po ju ku qetë? U ndjeva si… u ofendova se nuk u ngrit asnjëri.”
Aktualisht, Lili po përballet me një treg plotësisht të pasigurt: lakra e kuqe që ai prodhon po shitet 15 lekë/kilo – çmim që nuk mbulon as kostot e prodhimit – dhe shkon drejt Bosnjës, Malit të Zi apo Çekisë. Sipas tij, çmimi i drejtë do të duhej të ishte 50 lekë që fermeri të kishte interes.
“Unë këtu humb 3000 euro”, shton ai.
Problemi kryesor mbetet konkurrenca e padrejtë nga importi: fermerët në rajon marrin mbështetje shumëfish më të lartë për të njëjtën sipërfaqe toke, ndërsa në Shqipëri prodhimi vendas mbetet i pambrojtur dhe pa çmim të qëndrueshëm.
Historia e Lili Bitit ka kthyer vëmendjen te gjendja e vështirë e fermerëve shqiptarë, duke nxitur debate të gjera për politikat bujqësore dhe rolin e shtetit si mbrojtës i prodhimit vendas.
Momenti kur fermeri përplaset me Ramën:
View this post on Instagram

