
Ky është Isa Aliu, vëllai i Salvadore (Shpëtim) Aliut, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash.
Sipas dosjes hetimore, Isa Aliu dyshohet se ka luajtur rol kyç në qarkullimin dhe investimin e të ardhurave kriminale, përmes disa bizneseve në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
Hetimet e SPAK të nisura në vitin 2020 kanë zbuluar një nga skemat më të mëdha të dyshuara të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave, ku dyshohet se janë përfshirë dhjetëra persona dhe qindra pasuri me vlerë qindra miliona euro.
Sipas të dhënave hetimore, në qendër të grupit që është quajtur jozyrtarisht “Perandoria Aliu” qëndron shtetasi Salvatore Aliu, i identifikuar si organizator, financues dhe furnizues i ngarkesave me kokainë në tregjet ndërkombëtare.
Hetimet e SPAK dhe referimet e Policisë së Shtetit tregojnë se aktiviteti i grupit shtrihej në disa shtete dhe përfshinte lidhje familjare, ku vëllai i tij, Isa Aliu, dyshohet se luante rol kyç në pastrimin e parave në Shqipëri.
Groposja e milionave dhe skema e fshehjes së parave
Sipas dosjes hetimore, anëtarët e grupit dyshohet se kanë përdorur metoda të ndryshme për fshehjen e shumave të mëdha të parave cash, përfshirë:
ruajtje në lingota ari
groposje në fuçi
fshehje në struktura të murosura në prona dhe apartamente
Hetimet përmendin gjithashtu komunikime të koduara, të zbuluara përmes platformës “Sky ECC”, të cilat kanë ndihmuar në dokumentimin e lëvizjes së parave dhe koordinimin e investimeve.
Lëvizje milionëshe dhe skema pastrimi
Sipas materialeve hetimore, vetëm gjatë periudhës gusht–nëntor 2020 janë dyshuar qarkullime cash mbi 30 milionë euro në Shqipëri.
Isa Aliu dyshohet se ka mbajtur shënime të detajuara për dorëzimet e parave dhe ka informuar rregullisht vëllain e tij për shumat e disponueshme, të cilat në disa raste kanë arritur miliona euro brenda pak javësh.
Aliu njihej edhe me emrin Shpëtim Aliu apo nofkat si "Daja", "Qero", "Qerosi" "Viktor", Albo Pelon". Ai shërbente edhe si një siguri për kalimin e kokainës në mënurë të sigurt nga portet kryesore të Europës.
Ndërkohë që partnerët e tij bënin në këmbim pagesa cash të rregullta tek Aliu apo lidhje te tij familjare, e veçanërisht tek vëllai i tij Isai, rezident në Shqipëri.
Ky i fundit sipas burimeve pranë SPAK ka qenë përgjegjës për të ideuar një skemë të mirëfilltë pastrimi për llogari të vëllait të tij.
Isa Aliu e njofton rregullisht vëllanë tij, për shumat e parave të dorëzuara nga shtetas të ndryshëm dhe mban të shënuara llogaritë e tyre ku vetëm për periudhën Gusht - Nëntor 2020, ka marrë minimalisht në Shqipëri mbi 30 milion euro cash
Në datën 30.08.2020, Isa Aliu informon Salvatoren se ka gjendje 6 milion euro cash.
Në datën 15.09.2020 e informon se ka 9 milion e 800 mijë euro.
Në datën 13.09.2020, Salvatore i konfirmon Isait, se në vijim do të marrë edhe 20 milion euro të tjera.
Në datën 16.09.2020 Isa Aliu i dërgon me foto të gjitha shënimet e tij për dorëzimet e lekëve nga lidhjet e Salvatore Aliut.
Safvatore dhe Isa Aliu identifikohen të diskutojnë edhe për të lehtësuar disponimin e parave cash, ku ndër të tjera mendojnë të blejnë lingota ari, ‘të cilave nuk u ikën vlera për një kohë të gjatë’.
Në vijimësi, Salvatore Aliu e orienton vëllain e tij për mënyra të ndryshme të fshehjes së parave, duke i groposur në fuçi 50 litrash, apo edhe duke blerë apartamente të posaçme, me qëllim për ti fshehur në brëndësi të ndarjeve të ambienteve që mund të bëhen nëpër apartamente.
Salvatore Aliu është i shqetësuar për fshehjen e mirë të parave cash, duke i treguar të vëllait gë duhet të jenë të kujdesshëm, pasi mund t'u ndodhë ndonjë surprizë edhe nga autoritetet shtetërore, duke qenë se tani "janë në nivele të rënda".
Në datën 20.09.2020, vëllezërit Aliu, diskutojnë për ndërrimin e një makine me një sipërfaqe toke, por që ndërrimi do jetë fiktiv, vetëm për letra, pasi makinën do ta mbajnë ato përsëri.
Isa Aliu thotë SPAK, është ideatori dhe ndërmarrësi i riskut të investimit në sektorin e ndërtimit, duke tentuar në fillim të ligjërojë një sasi parash nëpërmjet çeljes së lokaleve dhe deklarimit të faturave fiktive, e më pas nisjes së investimeve në sektorin e ndërtimit.
Më datë 03.11.2020, Salvatore Aliu njofton vëllain e tij Isa Aliu mbi daljen me sukses të tre punëve dhe i tregon se vetëm me këto tre punë ka patur një fitim prej 15 milion eurosh, duke treguar në këtë rast fuqinë dhe aksesin e jashtëzakonshëm që ka Salvatore Aliu në trafik ndërkombëtar të kokainës.
Mësohet se me paratë e trafikut të kokainës, Salvatore e Isa Aliu ideuan e krijuan një skemë të mirëfilltë pastrimi parash në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, duke investuar miliona euro kryesisht në ndërtimin e komplekseve turistike, apo edhe në përftimin e kontratave publike si nënkotraktor.
Isa Aliu ka shfrytëzuar të gjithë njerëzit, mjetet e metodat që ka patur në dispozicion, rrethin shoqëror, banka e noter me dhe pa dijeninë e tyre, për të ngritur infrastrukturë ndërtimi që qarkullon miliona euro.
Pika kyçe në procesin e ndërlikuar të pastrimit të parave është kompania Aliu “Road House" shpk, regjistruar më datë 11.08.2008 nga Isa Aliu e cila është zotëruar ligjërisht prej tij.
Për gjatë viteve 2008-2020, kjo kompani ka deklaruar zyrtarisht në bilancet e saj, një humbje totale prej 17.691.063 lekësh.
Biznese dhe investime në Shqipëri
Prej vitit 2021, kompania “Aliu Road House" sh.p.k, rezulton se ka zgjeruar aktivitetin e saj prej në sektorin e ndërtimit në vendin tonë, duke deklaruar në bilancin e vitit 2021 një fitim prej 109.523.303 lekësh.
Sipas burime pranë organit hetues, ngrihen dyshime se zgjerimi i aktivitetit në këtë sektor, u bë menjëherë pas ardhjes në Dhjetor 2020 në vendin tonë të shtetasit Salvatore Aliu, dhe ka gjasë që në atë periudhë vendosi të fillonte pastrimin e parave në Shqipëri, duke krijuar pozita të qëndrueshme në tregun e kokainës në Ekuador.
Në vitin 2021 rezulton se i hetuari Isa Aliu ka hapur në zonën e Romanatit në Durrës një pikë prodhimi inertesh dhe një "beach -bar" dhe rezulton që të ketë një rritje të biznesit me qidnra miliona lekë
Pika e prodhimit të inerteve do ti mundësonte Aliut që të mbyllte rrethin e qarkullimit të parave në lidhje me investimet e tij në ndërtim.
SPAK vijon hetimet për identifikimin e plotë të rrjetit të dyshuar, i cili sipas dosjes përfshin dhjetëra persona dhe qindra pasuri të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme në Shqipëri dhe jashtë saj.
Autoritetet po verifikojnë lidhjet financiare, transaksionet bankare dhe investimet e kryera ndër vite, në kuadër të një prej dosjeve më të mëdha të krimit të organizuar të hetuara deri më tani në vend.Versus.al

