AKTUALITET /

Gjykata Administrative shqyrton sot kërkesën për pavlefshmërinë e Dados si prokuror! Veliaj i pranishëm në seancë

Sipas padisë së dorëzuar nga mbrojtja e Veliajt, emërimi i Dados në 2008 ka qenë i paligjshëm pasi asokohe nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës.

Shkruar nga Versus

Gjykata Administrative shqyrton sot kërkesën për

Gjykata Administrative e Tiranës do të shqyrtojë sot padinë e paraqitur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili ka kërkuar pavlefshmërinë e dekretit të emërimit të prokurorit Ols Dado të firmosur nga presidenti Bamir Topi në 2008-ën.

Edhe vetë Veliaj pritet të jetë i pranishëm në seancën që nis në orën 13:00. Në padinë e bërë, Veliaj pretendon se emërimi i Dados është bërë në kundërshtim me ligjin pasi nuk plotësonte kriteret ligjore, mes të cilave përfundimi i shkollës së Magjistraturës.

“Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me një emërim individual. Ajo prek një parim themelor: ligjshmërinë e burimit të pushtetit publik. Nëse një funksion kaq i rëndësishëm si ai i prokurorit mund të ushtrohet jashtë kritereve ligjore, atëherë vihet në kërcënim të drejtpërdrejtë vetë shteti i së drejtës dhe garantimi i të drejtave themelore të qytetarëve.

Padia argumenton se të gjitha veprimet e ndërmarra nga një subjekt i emëruar në kundërshtim me ligjin janë të ekspozuara ndaj pavlefshmërisë, përfshirë edhe ato që kanë prodhuar pasoja të drejtpërdrejta mbi lirinë personale dhe funksionimin e institucioneve publike, në këtë rast edhe të Bashkisë së Tiranës.

Në këtë kuadër, gjykata është thirrur të shprehet mbi një çështje që tejkalon natyrën individuale dhe lidhet drejtpërdrejt me standardet kushtetuese të ushtrimit të pushtetit të akuzës në Republikën e Shqipërisë”- njoftoi dje mbrojtja e kryebashkiakut.

Përplasjet e ashpra mes Veliajt dhe Dados nisën pasi ky i fundit firmosi urdhrin e kërkesës për arrestimin e kryebashkiakut i cili mbahet në paraburgimin e Durrësit që prej 10 shkurtit të vitit 2025. Ndaj tij ka 13 akuza për 5 vepra të ndryshme penale të kryera gjatë kohës që drejonte bashkinë. Versus.al

Poll