
Gjatë konferencës së përbashkët mes SPAK e Antimafias italiane për goditjen e grupit të drejtuar nga Igli Kamberi që pastronte paratë duke investuar në Shqipëri, prokurori Italian, Giuseppe Gatti ka dhënë detaje mbi organizatat kriminale shqiptare duke i konsideruar ato ndër më të fortat në Evropë.
Sipas tij, këto grupe kriminale, kudo që kanë shkelur, kanë sjellë me vete edhe një kulturë kriminale të krijuar në Shqipëri. Ai tha se klanet mafioze ruajnë lidhjet me Shqipërinë, ndërsa e konfirmojnë dominimin e tyre nëpërmjet vrasjeve dhe mënyrave makabre të dhunës.
“Ky operacion na lejon të bëjmë një lloj analize për krimin e organizuar. Aktualisht mund të themi se organizatat kriminale shqiptare janë ndër më të shpërndarat dhe më të fortat në BE. Ndoshta për një kohë të gjatë janë nënvlerësuar, pasi konsideroheshin si grupe që merreshin vetëm me prostitucion apo emigracion të paligjshëm.Sot realiteti tregon një nivel shumë të lartë kriminaliteti të strukturave shqiptare, të cilat kanë rol kryesor në narkotrafikun ndërkombëtar. Këto grupe, përveç trafikut të drogës, sjellin edhe një kulturë kriminale me origjinë mafioze, e krijuar dhe e konsoliduar në Shqipëri.
Grupet kriminale shqiptare veprojnë si në territorin shqiptar, ashtu edhe jashtë tij, duke fituar rol drejtues në vendet ku operojnë. Ekziston edhe një garë mes tyre për dominim. Krimi i organizuar ka hyrë në një proces delokalizimi. Ky hetim tregon se organizatat kriminale shqiptare të pranishme në Itali ruajnë lidhje me ‘shtëpitë mëmë’ dhe funksionojnë si struktura mafioze. Në grup ndodhet edhe një person nën hetim në Itali, pjesë e një strukture që pastron paratë e drogës. Këto organizata zhvillojnë aktivitet kriminal edhe në Itali dhe e konfirmojnë nivelin e tyre kriminal përmes vrasjeve. Funksionojnë si grupe tipike mafioze: një person merret, dërgohet në një vend të izoluar, vritet dhe më pas trupi digjet.
Këto janë ndër format më të tmerrshme të dhunës që përdoren për të treguar forcën e tyre. Grupet shqiptare shfaqin tipare të qarta mafioze, si në kodet e sjelljes, ashtu edhe në lidhjet familjare e kriminale. Personi i akuzuar për vrasje e justifikon ekzekutimin duke thënë se nuk ishin respektuar rregullat e ‘familjes’. Kemi arritur të kuptojmë një model kriminal që ka bazën në Tiranë, por që është shtrirë edhe në Itali, duke ruajtur rregullat dhe hierarkinë tipike të organizatës ‘mëmë’”- u shpreh prokurori ndër të tjera. Versus.al


