
Erion Alibej, i arrestuari për porositjen dhe organizimin e 2 vrasjeve ku mbetën të vdekur Emiljaro Ramazani dhe Regis Runaj, ka dëshmuar për herë të parë sot në GJKKO për dosjen ‘Plumbi i Artë’ në cilësinë e të penduarit të drejtësisë.
Ai e nisi rrëfimin e tij duke treguar sesi ishte njohur me vrasësin me pagesë Nuredin Dumani dhe sesi i kishte dhënë 50 mijë euro paraprakisht nga 100 mijë euro të ofruara prej tij për të vrarë të shumëkërkuarin Talo Çela pasi e akuzonte këtë të fundit për vrasjen e vëllait, Endrit Alibej dhe të daajës Arben Dylgjeri në masakraën e Bradasheshit në 2018-ën.
“Më 29 dhjetor të vitit 2018, në një atentat që ne si familje e quajmë ‘kamikaz’… (ndërpritet nga avokatët e të pandehurve të tjerë). Me Nuredin Dumanin jam njohur pasi u lirova nga paraburgimi i Elbasanit, nga fillimi i vitit 2020. Arjan Spahiu kishte kontakt me anë të një personi të quajtur ‘Fati’. Kam qenë përdorues i aplikacioneve ‘EncroChat’ dhe ‘Sky EÇ’. Arjani më tha që Nuredin Dumani kishte kërkuar vetë të takohej me mua, sepse gjatë kësaj periudhe kisha përhapur fjalë në rrugë apo në shoqëri, se për Talo Çelën jepja 100 mijë euro për ta vrarë dhe 200 mijë euro për këdo që ma sillte të gjallë. Kjo gjë i kishte shkuar në vesh Dumanit.
Për Nuredinin bëra kërkime, kisha çdo informacion. Erdhi te pallati, në një shtëpi me qira që kisha marrë për djemtë e dajës tim. Qëndroi për 2 orë e 48 minuta. E regjistrova bisedën me Nuredin Dumanin. Më shpjegoi se kishte dëgjuar që kërkoja Talo Çelën dhe më tha se në dijeni për këtë ishin edhe Festim Qoli. I thashë: ‘Ok’, dhe më pas nisa bisedën duke i shpjeguar kush janë ekzekutorët e familjarëve të mi” – dëshmoi Alibej.
Më tej tregoi sesi e kishte mësuar Nuredin Dumanin të përdorte Sky Ecc pasi ishin takuar.
“Unë i tregova internerarin e makinës që ishte qëlluar nga të dyja anët, më tha ka qenë dhe një Dorjan Shkoza dhe ka qenë me makinë tjetër dhe ka zbrit duke qëllu tek ana tjeter, Nuredini kishte hall se Dorjan Shkoza po e ndiqte atë dhe dashnorin me e ekzekutuar, Dumani më tha se kishte probleme vetë me ata, un i thash me intereson vetem Talo Çela, unë e dija që financuesit e urdhëruesit ishin në Dubai, vellezerit Çopja miq të hershem tonët.
Dumani më tha se Talo Çela shkon shumë dhe me Festim Qolin, me tha që për vrasjet unë marr gjysmat e lekëve, e pashë që nuk kishte telefon të enkriptum, i shpjegova Arjanit që Nuredini ska sky ecc, dhe i dhash nje iphone 6 që kishte të instaluar sky ecc, i dhashë 50 mije euro, e mësova dhe si përdoret sky ecc”-shtoi më tej Alibej. Versus.al







