
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja skandaloze e raportuar në kopshtin shtetëror numër 1 në qytetin e Gramshit ku mbetën të helmuar 17 fëmijë.
Burime nga AKU bëjnë me dije se pas analizimit të kampionëve rezultoi që vesa e përdorur në kopsht ishte e kontaminuar me salmonelë, ndërsa rezultuan të pastra mishi dhe qumështi.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka pezulluar aktivitetin e kopshtit deri në përfundimin e analizave dhe dezinfektimin e mjediseve.
Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe për të marrë masat e nevojshme ligjore. Kompania “Nelsa” shpk po hetohet për tregtimin e produkteve të kontaminuara që paraqesin rrezik për shëndetin publik.
Çfarë ndodhi:
Ngjarja u raportua rreth një javë më parë ku disa të mitur në qytetin e Gramshit ishin paraqitur në spital me shenja të vjella, diarre dhe temperaturë. Direkt pas kësaj u bënë kontrollet e nevojshme për të zbuluar shkakun. Por nga ana e prindërve të fëmijëve pretendohej një tjetër e vërtetë. Ata bënë me dije publikun se fëmijët e tyre shfaqën shenja të helmimit që prej fillimit të javës së shkoi dhe ngjarja u mbajt e fshehtë.
Sipas tyre, kopshti nuk i kishte njoftuar për gjendjen e fëmijëve të tyre. Pasi ngjarja u bë publike, të premten e kaluar më 23 maj, prindërit e fëmijëve dolën në një protestë simbolike për të shprehur indinjatën e tyre lidhur me institucionet. Ata u shprehën se nuk ka patur një përgjigje të shpejtë lidhur me rastin dhe se ngjarja u mbajt e fshehtë.
Një pretendim gjithashtu u mbajt edhe për presionin e qytetarëve për të mos dalë në protestë nga institucionet. Ata u shprehën se i kërcënojnë me vendin e punës. Lidhur me këto pretendime, kryebashkiaku i Gramshit Besjan Ajazi mbajti një deklaratë për mediat ku u shpreh se janë alibi të ngritura për çështje politike dhe se institucionet kanë qenë në gatishmëri. Versus.al







