
Gazetari Eraldo Harlicaj, dha detaje të reja lidhur me vrasjen e Gjovalin Prendit të ndodhur mbrëmjen e 18 prillit brenda lokalit të tij në fshatin Pllanë të Lezhës.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Harlicaj tha se 4 personat që dyshohet të kenë marrë pjesë në atentat, e njihnin zonën dhe familjen. Ndërsa sa i takon pistës së hetimeve mbi konfliktet e Roan Brahimit, djalit të të ndjerit, gazetari u shpreh se fillimisht përplasjet kanë ndodhur në 2014-ën pas një lidhje intime që Brahimi ka patur me një zonjë.
Ndërsa nuk përjashtoi as mundësinë që ngjarja të ketë lidhje edhe me faktin se Brahimi dyshohet si një ndër personat pjesëmarrës në atentatin ku u ekzekutua Brilant Martinaj dhe dy shokë të tij.
“Në vrasjen e Gjovalin Prendit është konfirmuar që kanë marrë pjesë 4 persona, kanë qenë dy qitës. Nuk konsiderohet se kanë qenë të papërgatitur, ka qëlluar vetëm një person. Në momentin që është djegur makina, ka qenë një person që i ka pritur i ka transportuar me makinë. Zona nuk ka pasur kamera dhe terreni ka qenë i studiuar. Është një krim lokal dhe personat që kanë marrë pjesë në këtë e kanë njohur zonën dhe familjen. Gjovalini ka pasur problemet shëndetësore kohëve të fundit. Ka pasur një atentat më vitin 2021, kështu që ka qenë ditur, pritej.
Duke qenë vetë nga veriu, është e vështirë që familjet të falin njëra tjetrën. Një nga pistat që po heton policia është një atentat që ka ndodhur në 2014, për një vajzë. Ka qenë Roan Brahimi në të 20-tat, ka qenë në një marrëdhënie me një zonjë. Pas këtij konflikti ka pasur një atentat dhe nga ai moment familjet kanë qenë në armiqësi. Roan Brahimi flitet që ka pasur një ‘background’ të gjerë përplasjes. Përflitet që ka marrë pjesë në atentatin ndaj Brilant Martinajt”- u shpreh Harlicaj.
Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, u ekzekutua në Athinë më 9 maj të vitit 2024 në prani të gruas dhe fëmijës së tij. Viktima dyshohet të ketë patur një armiqësi me biznesmenin e zhdukur, Ervis Martinaj. Versus.al








