Personi që shihni në foto është Kevin Hajrulla, 30 vjeçari i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme në Vlorë ku ndaj automjetit të tij u zbraz një karikator me 50 plumba.
Dyshohet se atentatorët kanë qenë 3 persona, njëri që drejtonte makinën dhe 2 të tjerë të cilët hapën zjarr me breshëri plumbash. Autorët e paidentifikuar ia mbathën nga vendngjarja dhe dogjën makinën në zonën e Panajasë. I plagosur si pasojë e plumbave në lagjen “5 maji” mbeti edhe 35 vjeçari Armand Spahiu, shitës fruta-perimesh në qytet.
“Shënjestra” e atentatit rezulton të jetë kushëriri i Inez Hajrullës, i cili njihet ndryshe si “i forti i Vlorës”, shënjestër e disa atentateve të zhvilluara më herët ndaj tij.
Kush është Inez Hajrulla?
27 vjeçari njihet si person me rrezikshmëri të lartë në Vlorë, i akuzuar për grabitjen e një kazinoje në vitin 2013. Djali i biznesmenit vlonjat Robert Hajrulla është shoqëruar në polici për pengmarrjen dhe zhdukjen e Elvis Troqes në 2018-ën. Nga gjykata e Vlorës, Hajrulla është dënuar më 5 shkurt të vitit 2018 me 2 vite burg nën akuzën e “Mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë dhe rendit publik” si dhe mbajtja pa leje e armëve. Por ky dënim u pezullua dhe Hajrulla u kalua në shërbim prove. Në dhjetor të vitit 2018 Inez Hajrulla dënohet sërish nga gjykata e Vlorës për largim të të burgosurit nga vendi i qëndrimit.
Ndaj tij u bë një atentat me tritol në vitin 2017. Ndërsa në 10 maj të vitit 2019 i është bërë një tjetër atentat teksa ndodhej brenda një lokali në Vlorë duke lënë të plagosur rastësisht Dajko Canodemajn, një qytetar i cili ka qenë duke pirë kafe. Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, në këtë atentat të dështuar morën pjesë nëntë persona, Fatmir Hyseni, Daut Elmazi, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko. Pati dyshime të forta se atentati u krye si rezultat i larjeve të hesapeve mes grupeve rivale në Vlorë. Versus.al







