Shkodër- Në orët e para të mëngjesit të sotëm një shpërthim me tritol tronditi lokalin e Andis Danajt, 35 vjeçarit i cili banon në Velipojë. Ky shpërthim ka qenë i dyti brenda muajit ndërsa vetë pronari ka shpëtuar për mrekulli pasi ishte duke fjetur vetëm pak metra larg vendit ku ndodhi shpërthimi.
Në një intervistë për TCH, Daja tha se ndihej shumë i zhgënjyer për faktin se aty kishte investuar kursimet e punës që kishte bërë gjatë 10 viteve si emigrant në Gjermani. Ai i bëri thirrje policisë që të hetojë ngjarjen duke mohuar që të ketë pasur konflikt me ndokënd.
“Mbrëmë nga ora 3:00 e natës më ka marrë vëllai në telefon. Është hera e dytë që ndodh. Ka ardhur nga mbrapa dhe ka hedhur lëndë shpërthyese, për fat të mirë vëllai ka qëlluar pak metra më tutje dhe nuk ka pasur dëme fizike.
Unë jam emigrant në Gjermani që 10 vite. E pash të arsyeshme të bëja një investim në vendin tim, dhe shikoje çfarë ndodh. Të vijnë të sulmojnë pa i pasur kujt borxh, as asgjë, nuk e di, shumë i zhgënjyer. Shpresoj që policia të merret seriozisht se është hera e dytë, të gjenden autorët sa më shpejt”- tha 35 vjeçari.
Grupi hetimor në vendngjarje ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve. Versus.al







