
Pas përplasjes me IKMT-në të cilët kanë shkuar për t’iu shembur banesat, pronarët e shtëpive kanë dalë në një deklaratë për mediat çka ka bërë që përfaqësues nga IKMT-ja dhe OSHEE-ja të largohen pasi kanë parë praninë e kamerave. Në këto kushte, qytetarët kanë dhënë deklaratat e tyre për mediat ku kanë denoncuar rastin që po u cek të drejtën e tyre më bazike. Një qytetar u shpreh se meqënëse premtimi i Ramës ishte që Shqipëria të ishte pjesë e Bashkimit Evropian, gjëja më elementare që do duhet të behet është të zbatohet ligji dhe të mbrohen qytetarët.
“Këto janë gjërat më elementare për një vend që aspiron BE-në. Të zbatojë ligjin. Për mendimin tim është një mungesë e shtetit, dhe mund të vijë dhe unë dhe them sot po vij të bëj kështu. Ka ardhur IKMT-ja po nuk të paraqet dokument. Sot unë s’po shoh IKMT këtu, s’vijnë të flasin. S’bëhet qameti të zbatosh ligjet më elementare. Si qytetar I BE-së, se Rama thotë do ju bëj pasaportë evropiane dhe e di si zbatohet ligji në vendet e Evropës. Dhe unë këtë kërkoj të zbatohet ligji dhe të mbrojë qytetarët.”- tha ai.
Çfarë ka ndodhur:
Në zonën e ish-Uzinës Dinamo në Tiranë ka shpërthyer një përplasje mes banorëve dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Banorët akuzojnë institucionin se po përpiqet t’i nxjerrë nga shtëpitë në mënyrë të paligjshme, duke ndërprerë qëllimisht energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë, për të detyruar largimin e tyre dhe për të mundësuar shembjen e banesave.
Banorët pretendojnë se banojnë aty prej më shumë se 27 vjetësh, janë pajisur me dokumente të pronësisë përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave (VKM) në vitin 2013 dhe nuk kanë kërkuar truall, por vetëm njohjen e banesave të tyre. Ata janë përfshirë në procese gjyqësore ndaj Bashkisë së Tiranës dhe disa individëve që pretendojnë të jenë pronarë të tokës, duke u mbështetur në një kontratë të dyshimtë dhe duke kërkuar të drejtën e parablerjes.
Situata është përshkallëzuar me ndërhyrjen e IKMT-së dhe ndërprerjen e shërbimeve bazë, ndërsa banorët thonë se nuk janë konsultuar për asnjë projekt urban dhe se vendimet janë marrë në mënyrë të njëanshme. Në momentin që mbërritën mediat, punonjësit e IKMT-së u tërhoqën nga zona, duke shmangur përballjen me komunitetin.
Banorët deklarojnë se nuk do të largohen dhe do të ndjekin rrugën ligjore për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Versus.al







