
Tension dhe përplasje janë regjistruar këtë të mërkurë mes banorëve të zonës së ish-Uzinës Dinamo dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), teksa banorët pretendojnë se po përballen me një përpjekje të paligjshme për t’i nxjerrë jashtë banesave të tyre. Sipas tyre, IKMT ka ndërhyrë në mënyrë të njëanshme, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ujë, në përpjekje për t’i detyruar të largohen dhe për të hapur rrugë shembjes së objekteve.
Banorët: “Jemi pronarë, kemi tituj dhe VKM”
Banorët thonë se banojnë në këtë zonë prej më shumë se 27 vjetësh dhe shumica janë pajisur me vendime të Këshillit të Ministrave (VKM) që i japin të drejtën e hipotekimit të banesave.
“Këtu ka qenë shtetërore, dhe kemi aplikuar për t’i privatizuar. Me VKM në vitin 2013 kemi kaluar në hipotekë. Tani dalin e thonë që janë të tjerët pronarë,” – u shpreh një nga banorët për mediat.
Aktualisht, 7 familje janë në proces gjyqësor, duke paditur institucionet publike dhe personat që pretendojnë pronësinë e tokës, përfshirë Bashkinë e Tiranës dhe palë private që sipas tyre, “mbështeten në një kontratë të dyshimtë”.
Pretendimet e palës tjetër: E drejtë parablerjeje?
Nga pala tjetër, një grup personash pretendojnë të jenë pronarë të tokës dhe kërkojnë dorëzimin e saj, duke u mbështetur në të drejtën e parablerjes. Banorët e kundërshtojnë këtë version, duke theksuar se prania e tyre prej dekadash dhe dokumentet zyrtare e bëjnë të pamundur këtë pretendim.
“Nëse aty ka banorë, nuk e merr dot në dorëzim. Ligji parashikon që informali akomodohet. Nuk mund t’i nxjerrësh njerëzit që kanë 27 vjet aty,” – theksojnë ata.
Ndërhyrja e IKMT-së dhe roli i Bashkisë
Sipas banorëve, Bashkia e Tiranës ka deklaruar se në atë zonë do të ndërtohet një rrugë, por banorët pretendojnë se kjo nuk është bërë në mënyrë transparente dhe se askush nuk i ka pyetur apo njoftuar për planet urbanistike.
“Mirë mo zotëri, po njofto dhe hajde pyet pronarin. S’mund të vendosësh ti ç’do bëhet me pronën e dikujt. Kemi ligjin, kemi VKM. S’ka vend për arrogancë,” – thotë banorja.
Ajo që ka përshkallëzuar situatën, është ndërprerja e dritave dhe ujit, veprim që banorët e konsiderojnë të paligjshëm dhe presion psikologjik.
“OSHEE nuk mund të vijë të na presë dritat sepse ‘ka ardhur pronari’. Ne jemi në gjyq. Duan të na largojnë që ta shembin dhe pastaj thonë ‘vazhdo gjyqin’,” – denoncojnë banorët.
IKMT u tërhoq pas mbërritjes së mediave
Sipas dëshmitarëve që folën për mediat, në momentin kur u mësua që mediat po mbërrinin në vendngjarje, punonjësit e IKMT-së u tërhoqën, duke shmangur përballjen me banorët. Versus.al







