
Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar sot pasuri të paluajtshme e të luajtshme me vlerë rreth 3 milionë euro, në pronësi të noteres 35-vjeçare Sanja Telhallari.
Nga hetimet e kryera nga prokurori Ndini Tavani rezulton se gjatë periudhës 2013–2024, Telhallari ka kryer një numër të madh transaksionesh për blerjen e apartamenteve, dyqaneve, posteve të parkimit dhe një vile në një nga komplekset më luksoze të Tiranës. Përveç tyre, ajo ka investuar edhe në automjete luksoze dhe sende me vlerë, të cilat, sipas hetuesve, nuk përputhen me të ardhurat e saj si notere. Një pjesë të këtij luksi, noterja e ekspozonte hapur edhe në rrjetet sociale.
Prokuroria dyshon se burimi i një pjese të fondeve është ish-bashkëshorti i saj, Klodian Porja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe i dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë “shfrytëzimin e prostitucionit”, me një dënim deri në 21 vite burg.
E kontaktuar nga Top Channel, Telhallari deklaroi se vazhdon punën normalisht dhe se do të shprehet vetëm pasi të flasë drejtësia. Sipas saj, e shkuara e bashkëshortit nuk ka lidhje me aktivitetin e saj, ndërsa të ardhurat i ka të gjitha të ligjshme.
Megjithëse pasuritë i janë sekuestruar, noterja vijoi ditën e saj të punës në zyrën noteriale, duke pritur dhe përcjellë klientë si zakonisht.







