AKTUALITET /

"Je në ofertë", tensione në GJKKO, avokati braktis sallën: Nuredin Dumani më kërcënoi me jetë

Shkruar nga Versus
"Je në ofertë", tensione në GJKKO, avokati braktis
Fotomontazh: Avokati Ilirjan Dyzeni dhe vrasësi me pagesë Nuredin Dumani

Dëshmia e radhës e vrasësit me pagesë Nuredin Dumani, i cili është kthyer në të penduar të drejtësisë, ka sjellë përplasje gjatë seancës në GJKKO për dosjen ‘Plumbi i Artë’.

Ilirjan Dyzeni, avokati i të pandehurit Besjan Xhixha, braktisi sallën e gjyqit pasi pretendoi se ishte kërcënuar me jetë nga Nuredin Dumani i cili sipas tij i është drejtuar me fjalët “je në ofertë”. Ai akuzoi prokurorët e SPAK se po bënin ‘sehir’ dhe nuk ndërhynin ndaj kërcënimeve kaq të rënda.

Nga ana tjetër prokurori i posaçëm Behar Dibra u shpreh se nuk e kishte dëgjuar diçka të tillë të thënë nga Nuredin Dumani. Seanca u ndërpre për të rinisur pak minuta më pas me avokatin i cili i kërkoi gjykatës që t’u tërhiqte vëmendjen prokurorëve në mënyrë që të jenë më të kujdesshëm dhe të vëmendshëm në deklarimet e Dumanit.

“Ndoshta reagova gabim, i kërkoj gjykartës t’i tërheqë vëmendje prokurorisë, të jetë i vëmendshëm ndaj deklarimeve të bashkëpunëtorit. Jemi njerëz edhe shaka s’mund të bëjë nëse e kishte në shaka, jam avokat, nuk jemi luftëtar. Unë se përballoj dot edhe nëse e thotë me shaka ai është mbase rehat, ai është trim unë sjam trim, jam frikacak ça ti bëjë atij. Kam vënë në dijeni edhe dhomën e avokatisë. Kryetari i dhomës ishte në ambientet e gjykatës, e ndamë shqetësimin, smund të vijmë këtu dhe të përballemi me këtë situatë. Nuk vijojmë më kështu. Të merren masa të menjëhershme. Kjo është situatë e përsëritur”- tha Dyzeni.

Ndërsa edhe avokatët e të pandehurve të tjerë kërkuan që seanca të shtyhet në shenjë sensibilizimi duke bërë edhe kritika për SPAK-un për mosmarrje masash.

Prokurori Behar Dibra kundërshtoi kërkesën për shtyrje duke i bërë thirrje avokates Elda Zotaj që në rast se pretendimi i saj është i saktë, ka të drejtë të bëjë kallëzim penal ndaj tij personalisht.  

“Duhet të shikoni arsyet dhe shkaqet që çuan në atë deklaratë. Unë si pjesmarrës se kam dëgjuar. Hapni audion, ai (dumani) është i pandehur në këtë proces, thëniet e tij cilësohen dëshmi. Çe detyroj ta bënte atë pohim, kush e provokoi? Zonja avokate ke të drejtën të bësh që tani kallëzim ndaj meje, ik bëje aty ku duhet bërë. Merr regjistrimin dhe referoje ku të duash bashkë me emrin tim. I lutem gjykatës të vazhdojë gjykimin. Në të kundërt merrni masa vendosni gjoba për këdo avokat që bëhet pengesë për ndërprerje gjykimi”- argumentoi prokurori Behar Dibra.

Gjykata vendosi t’u pezullojë afatet e paraburgimit të dyshuarve, ndërsa seanca u shty për datën 22 prill. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: