
Durrës- Nazmi Selmani, presidenti i “KF Iliria është lënë në burg nga gjykata pas arrestimit nën akuzën se kërcënoi kreun e FSHF, Armand Dukën pasi ky i fundit nuk kishte ftuar djalin e tij Gentian Selmani në ndeshjet që Kombëtarja Shqiptare do të luajë në “Ligën e Kombeve”. Arrest me burg u caktua edhe për Petrit Selmanin, njërin prej djemve të presidentit të klubit të futbollit që e shoqëroi këtë të fundit në banesën e Dukës për ta kërcënuar.
Ndërsa të arrestuarit e tjerë, dy djemtë Santiago dhe Brajan Selmani futbollistë të “KF Iliria” si dhe Redian Loci janë liruar nga qelia duke u caktuar “detyrim paraqitje”.
Pesë të arrestuarit, shkuan në banesën e Dukës të premten e 30 gushtit pasi ishte publikuar lista e lojtarëve të ftuar në Kombëtaren Shqiptare në kuadër të kompeticionit “Liga e Kombeve” Fillimisht Nazmi Selmani ka kërcënuar me mesazhe Dukën rreth orës 21:30. Më pas rreth një orë më vonë, së bashku me të sipërpërmendurit, ka shkuar në banesën e Dukës në Durrës duke e kërcënuar dhe fizikisht.
Arrestimi i tyre u bë i mundur më 31 gusht, ndërsa tre persona të tjerë të cilët dyshohet se kanë qenë të pranishëm me Selmanin në banesën e Dukës, janë ende në kërkim. Pasi u shoqërua në komisariat, Selmani ka deklaruar se Dukën e kishte mik dhe se çdo kishte ndodhur nga gjaknxehtësia e momentit.
Ndërsa vetë kreu i FSHF, nuk ka dhënë asnjë deklaratë për kërcënimin ndaj tij. Pas publikimit të lajmit, ai u pa teksa ndiqte ndeshjen Teuta-Partizani në stadiumin “Niko Dovana”. Versus.al








