Ka përfunduar zyrtarisht faza e intervistës në kuadër të procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), një hap kyç në ndërtimin e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Pas zhvillimit të testit të poligrafit më datat 24 dhe 25 korrik, kandidatët iu nënshtruan intervistave përpara Komisionit të Përzgjedhjes. Sipas burimeve për mediat, intervistat nisën në orën 09:00, në ambientet e SPAK, dhe zgjatën rreth 45 minuta për secilin kandidat.
Kjo fazë e rëndësishme u monitorua nga përfaqësues ndërkombëtarë dhe kishte në fokus:
Vlerësimin e njohurive profesionale të kandidatëve;
Analizën e aftësive drejtuese dhe menaxheriale;
Qasjen e tyre ndaj sfidave të rolit dhe përgjegjësive që mbart pozicioni i Drejtorit të BKH-së.
Në përfundim të intervistave, Komisioni i Përzgjedhjes vendosi që të shtatë kandidatët të kalojnë në fazën e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë, në përputhje me nenin 6 të ligjit nr. 95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Procesi i përzgjedhjes po ndiqet me vëmendje nga aktorët vendas dhe ndërkombëtarë, për shkak të rëndësisë që pozicioni i Drejtorit të BKH-së ka në kuadër të reformës në drejtësi dhe luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri. /Versus.al







