
Prona e ish-prokurorit Adriatik Llalla që u sekuestrua nga SPAK me vlerë 100 mijë euro, tashmë menaxhohet nga shteti si qendër sociale dhe kulturore.
Gazetarja Anila Hoxha ka deklaruar se kjo pronë ishte e pajustifikuar dhe e ardhur nga veprimtari e paligjshme.
“Për këtë arsye ajo nga sekuestrimi më pas, kaloi në favor të shtetit si e konfiskuar. Sot, apo prej disa vitesh, kjo pasuri, ky apartament, që është pronë e shtetit shqiptar përdoret për aktivitete dhe si qendër sociale dhe kulturore.
Jemi duke folur pas dënimit të z. Llalla, i cili kur u dënua, u largua nga Shqipëria dhe menjëherë paralelisht u vendos sekuestrim dhe konfiskim. Në momentin që iu vendos konfiskimi, kjo pasuri nuk u shit, por i kaloi, më shumë edhe për të dhënë një mesazh domethënës, kaloi për përdorim social. Një apartament përmbi 100 mijë euro në Durrës”, tha ndër të tjera gazetarja.
Nga krijimi i tij në 2019, SPAK ka sekuestruar 64 pasuri të paluajtshme, 26 pasuri të luajtshme, 11 subjekte tregtare nga të cilat 7 subjekte të sekuestruar plotësisht dhe kuotat përkatëse të personave nën hetim për 4 subjekte të tjerë.
Në momentin që sekuestrohen, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, i publikon dhe shumica e tyre jepet me qira. 3982 pasuri dhe prova materiale, të cilat përfshijnë kryesisht apartamente, njësi shërbimi, toka dhe automjete janë sot nën mbikëqyrje nga ky institucion. Versus.al

