
Një operacion ndërkombëtar antidrogë është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shqipëri dhe Itali. Mësohet se në total janë lëshuar 52 urdhër-arreste për trafikantë që merreshin me trafikun e heroinës dhe kokainës nga vende të ndryshme të Ballkanit drejt Puglias.
Të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave, janë edhe policë e avokatë të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Në Shqipëri, aksioni po zhvillohet në disa qytete, Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë ku po kryhen arrestime në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar.
Sipas mediave italiane, janë sekuestruar pasuri miliona euro të dyshuara si të siguruara falë veprimtarive kriminale. Pjesë e aksioneve që po zhvillohen në Shqipëri janë edhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe antimafia italiane. Burime bëjnë me dije se gjatë kontrolleve në Fier dhe Vlorë, janë arrestuar 2 persona.
Operacioni “Ura” parashikon ekzekutimin e vendimeve për sekuestrimin e pasurive në Shqipëri dhe në Itali, që përfshijnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë prej disa miliona eurosh, si dhe urdhra për arrest me burg, të lëshuara nga gjyqtari hetues i Barit dhe nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ndaj 52 personave të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Për operacionin e koduar “Ura” do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 10:30 mes kreut të SPAK Altin Dumanit, kryeprokurorit të Barit Roberto Rossi dhe Drejtorit të Antimafias italiane Gjeneral Michele Carbone. Versus.al







