
Dy inspektorë të Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI) janë vendosur nën masa sigurie nga Gjykata e Posaçme, pas hetimeve të SPAK lidhur me korrupsion dhe marrje ryshfeti për të mbuluar aktivitetin tregtar pa leje në qytetin e Korçës.
Më 23 shtator 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë miratoi kërkesën e SPAK, duke vendosur:
Arrest në burg për inspektorin O.J., sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale;
Arrest në shtëpi për ish-inspektorin L.S., sipas nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale.
Ekzekutimi i masave u bë më 27 shtator 2025, me mbështetjen e Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Procedimi penal filloi më 5 mars 2025, pas referimit nga Prokuroria e Korçës. Të dy zyrtarët hetohen për veprat penale të “Korrupsionit aktiv” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryera në bashkëpunim, sipas nenve 244/2, 259/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Sipas hetimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), më 1 nëntor 2021, inspektorët kanë marrë ryshfet prej 900,000 lekësh dhe 10,000 dollarë, nga një subjekt privat me inicialet J.S., i cili ushtronte aktivitet tregtar pa dokumentacion ligjor dhe licencë teknike në Korçë.
Në këmbim të shumës, inspektorët nuk morën asnjë masë administrative ndaj subjektit, duke i lejuar aktivitetin në shkelje të ligjit.
Prokuroria thekson se hetimet vijojnë dhe se po përdoren të gjitha mjetet ligjore dhe teknike për dokumentimin e rasteve të abuzimit me detyrën, duke shprehur vendosmërinë për të ndëshkuar korrupsionin në institucionet shtetërore.







