
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur 3 korrikun si ditë zie për vendin në nder të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadaresë i cili u nda nga jeta mëngjesin e ditës së djeshme.
Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.
Në Shqipëri, Këshilli i Ministrave shpalli datat 2 dhe 3 korrik zi kombëtare për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh. Të nesërmen mbahet një ceremoni shtetërore për përcjelljen e Kadaresë drejt banesës së fundit. Versus.al







